E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ambasadori Wollfart bën apele pa adresë, s’merret vesh

TIRANE - Kryetari socialist, Edi Rama ka rrëfyer dje në emisionin "ZIP", në "Vizion Plus", se si e nis një ditë nga jeta e tij, por ndërkohë sqaroi shumë nga situatat, ku ndodhet politika dhe PS këto ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit. Ai tha se përpiqet t'i ruajë miqtë e vjetër, duke vlerësuar këtu rolin edhe të Lindës, bashkëshortes së tij. Ndërsa u shpreh për herë të parë për negociatat me Aleancën Kuq e Zi. Sipas tij, AK "nxori fytyrën e vërtetë, që e kishte maskuar me sukses për një periudhë të gjatë, duke ndërtuar një proces negociatash vetëdiskreditues, që ishte gati-gati ulëritës për ne, në gjithë falsitetin e vet".
Cili është mëngjesi ideal dhe cili është ai real, përpara fushatës së ethshme elektorale?
Të them të drejtën mëngjesin e kam mjaftueshmërisht ideal, sepse kam fatin të zgjohem çdo ditë me personin që dua më shumë dhe të përgatitem për ditën nën kujdesin e syve më të dashur për mua, pastaj pjesa tjetër s'ka asgjë për t'u shënuar dhe asgjë të ndryshme nga gjithë mëngjeset e njerëzve të zakonshëm.
Kur nis mëngjesi juaj z. Rama?
Unë normalisht çohem rreth orës 7.00, sot nuk ia dola dot se isha për të ardhur këtu, po bëj pak fizkulturë, pastaj nisem për betejë (qesh).
A ka kohë të lirë, sidomos gjatë këtyre muajve të fundit dhe kjo kohë e lirë si shpenzohet. Ka kohë për miqtë, për filma, për libra?
Unë kam gjithmonë kohë për filma, edhe për libra me periudha të ndryshme, gjithmonë kohë për shtypin ndërkombëtar dhe këto i konsumoj pas orës 12 të natës, minimalisht pasmesnata ime është pjesa kur shoh filma, lexoj shtypin ndërkombëtar apo hap ndonjë libër, kur mund të rezistoj më gjatë, ndërkohë që i jap vetes mundësinë e një gjysëm dite më të qetë ose të shtunën paradite, ose të dielën paradite, sipas axhendës.
Kur fle z.Rama?
Në orën 2-3 të mëngjesit.
A ka më vend për ëndrrat dhe idealizmat në ditët e artistit të dikurshëm, z. Rama këto ditë të ngarkuara për ju?
Pa ëndrra dhe idealizma për çfarë të duhet jeta dhe për çfarë të duhet kjo punë që bëj unë? Do ishte puna më e pakuptimtë në botë, kjo punë që e bëj unë, nëse nuk do të kishte ëndrra dhe idealizma.
Keni thuajse një dekadë e gjysmë që ushtroheni në ringun e politikës aktive, herë si ministër, më pas si kryetar bashkie, si kryetar i opozitës, tani jeni kandidat për kryeministër i pas 23 qershorit. Çfarë ndjeni që ka ndryshuar politika e ashpër shqiptare tek ju dhe cila është ajo pjesë apo tipar që mendoni se kjo politikë nuk mund ta zhbëjë kurrë?
Mendja është e pushtuar nga gjëra krejt të tjera, në raport me ç'ka ishte më përpara se të merrej me politikë, madje dhe në këto faza të ndryshme që ju përmendët, pushtimi është i ndryshëm në intensitet, në çështje dhe një nga gjërat më të vështira është nevoja për të pasur intensivisht marrëdhënie me shumë njerëz dhe për të "mbijetuar", në tensione dhe strese të ndërsjella mes njerëzish që jo gjithmonë është e lehtë të menaxhohen pa pasoja, si hatërmbetje apo moskuptime apo moskomunikime, të jetosh në një familje politike është diçka pasionante, por është edhe diçka me shumë ngarkesë emocionale, ndryshe nga ç'duket nga jashtë, me shumë ngarkesë tensioni dhe me shumë nevojë për të menaxhuar mikrobotën e gjithë secilit rreth teje, duke menaxhuar dhe mikrobotën tënde.
Si i përjetoni të gjitha këto mikrobotë, ndryshimet emocionale, që ndodhin në atë çfarë ju rrethon në bashkëpunëtorët tuaj të afërt dhe bashkëpunëtorët tuaj politikë?
U shkul veshin (qesh). Jo, në fakt me thënë të drejtën gjithë këto vite që kemi kaluar, besoj se kanë ndikuar shumë edhe për të pasur shumë më tepër qetësi dhe durim në menaxhimin e të gjitha marrëdhënieve, kam qenë shumë më i vrullshëm dhe shumë i paduruar në raportet me njerëzit në kuptimin e mirë të fjalës, pastaj ka diçka që quhet eksperiencë, që vjen me orë dhe nuk vjen as me mençuri dhe as me libra të lexuar. Besoj që edhe eksperienca ka bërë të vetën.
Ç'mund të na thoni për bisedat dhe raportet që keni me miqtë tuaj jashtë politikës?
Janë fatkeqësisht jo të shpeshta. Kam miq nga kohë e vjetër, siç thoshte Lasgush Poradeci, të cilët janë shumë të çmuar për mua. Por nuk janë të shpeshta takimet me ta, sepse ju thashë, është pushtimi dhe fokusi që janë krejt të ndryshme, po përpiqem t'i ruaj marrëdhëniet dhe falë Lindës, një pjesë e këtyre marrëdhënieve me ta ruhen në mënyrë të kujdesshme dhe koha që ikën me tërbim dhe që dikur më bënte të harroja shpesh për një kohë të gjatë se duhet të kujdesesha për dikë tjetër, jo për kuptimin e ndonjë nevojë, por në kuptimin shpirtëror, tani është nën kontroll. Pra, kam mundësi dhe pjesën e kohës për miqtë jashtë politikës.
Po në lidhje me pasionin tuaj, basketbollin a e aplikoni? A keni më kohë?
Nuk e aplikoj dhe nuk ia këshilloj askujt të merret me sporte intensive, se na duket vetja se jemi po ata, por trupi s'është po ai dhe dëmtimet mund të jenë vërtetë shumë dramatike. Unë kam miq nga sporti, kampionë të vërtetë që i shihja me admirim të jashtëzakonshëm dhe aso kohe ishin yje të parketit në Shqipëri dhe sot kanë probleme fizike, për shkak se e kanë tepruar në kohë duke luajtur basketboll, ndërkohë që ka të tjerë që mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë, siç është për shembull i përjetshmi mit i basketbollit shqiptar, Agim Fraku.
Z. Rama, ju e thatë pak më lart që Linda ju plotëson më së miri tek ajo pjesë që politika e zbeh disi herë pas here, por politika është ajo që ka prodhuar akuza, formulime që shpeshherë kanë kaluar gardhin edhe jo vetëm të familjes tuaj ..
Jo, s'është politike ajo, se kur thua politika na fut të gjithëve në një thes, as mënyra e të bërit politikë tek ne. Është politika e një grupimi të caktuar dhe e një personi të caktuar, sepse pavarësisht se mund të ketë pasur momente eksesesh edhe nga ana jonë në betejën parlamentare, në debatin publik, Partia Socialiste dhe në përgjithësi grupimet e tjera politike nuk karakterizohen nga dhuna verbale si instrument komunikimi i përditshëm, nga sharjet dhe shpifjet si një mjet për t'u ballafaquar me kundërshtarin. Nuk është politika, por një grupim dhe një person në krye të atij grupimi, saktësisht Partia Demokratike, e kthyer në një parti familjare për interesa tërësisht të ndryshme nga interesat që ka shkruar në programin e vet dhe kryetari i saj, që shfryn përditë, që ka shkatërruar të gjithë diskursin social në Shqipëri, duke dhënë një shembull të pashembullt për të rinjtë, familjet dhe normat e bashkëjetesës mes njerëzve në këtë vend.
Por si përjetohen të gjitha këto akuza dhe formulime nga familja juaj, nga mamaja Aneta, bashkëshortja Linda?
Fatkeqësisht kanë qenë të detyruar të gjithë në familjen tonë të mësohen me këtë maskaradë dhe të kuptojnë se kjo është ajo ç'ka gabimisht quhet politikë, por që e tillë është për momentin në Shqipëri dhe në pamundësi për të ndryshuar kundërshtarët, thjesht duhet të ruajmë qetësinë dhe me durim të shkojnë përpara në një përpjekje për të ndryshuar politikën në radhë të parë, për të ndryshuar qasjen ndaj tjetrit në këtë vend, që mund të fillojë të ndodhë kur këtë gjë e bën forca që është në shumicë. Dhe ne kur të jemi në shumicë pas 23 qershorit, jemi zotuar përpara shqiptarëve që do të kemi një tjetër nivel komunikimi publik dhe një tjetër qasje ndaj opozitës.
Cili është raporti Z.Rama që keni me internetin dhe me teknologjinë. Ishit ndër të parët që hapët një 'acount' në 'Twitter', edhe pse të tjerët që ironizuan në fillim me ju, më pas e përqafuan këtë ide..
Jo, nuk kam ndonjë marrëdhënie teknikisht të vlefshme nga pikëpamja teknike. Jam analfabet funksional si 57% e 15- vjeçarëve në raport me gjuhën e shkruar dhe të kënduarit shqip me internetin. Jam analfabet funksional teknikisht. Ndërkohë që sigurisht përdor ato gjëra që më duhen nga teknologjia e lartë për komunikimin dhe kam një Lindë tjetër, një star të vërtetë që punon me mua prej shumë vitesh nga bashkia, tani tek Partia Socialiste, që është IT jonë dhe që për çdo nevojë teknike dhe zgjidhje teknike të aplikimeve është e gatshme dhe zgjidh gjithçka.
Përveç kësaj Lindës, z. Rama, staret e IT, kush janë le të themi njerëzit e tjerë pa të cilët nuk i bëni dot punët në parti?
Ne kemi dy nivele, një nivel politik që dihet, dhe nivelin teknik; e kemi të organizuar me njerëz të rinj që punojnë me pasion pas kuintave për gjithë sistemin e komunikimit për të gjithë. Është ajo pika ku lidhen të dyja nivelet dhe bashkërendohen të gjitha energjitë në funksion të komunikimit, që është dhe pjesa më e rëndësishme sot, edhe pse përmbajtësisht e gjithë përgatitja duhet bërë jashtë ekranit, rrjeteve sociale, gazetave dhe radiove, por ajo çka del aty dhe mënyra se si del është bërë shumë e rëndësishme në shoqërinë që jetojmë dhe Endri Fuga na jep mundësinë që, jo të flemë të qetë, po të flemë me një sy të mbyllur qetësisht dhe me tjetrin hapur.
Si është z. Rama me stafin e tij? Ka hije të rëndë, apo është njeri i cili i kupton hallet e njerëzve?
Mbase në impresionin e parë që më krijohet nga ekrani hija ime është ca më e rëndë sesa në realitet, sepse kam dëgjuar në raste të ndryshme njerëz që më njohin dhe flasin "o, po ti s'qenke aq hijerëndë sa dukesh në ekran". Por nga ana tjetër, kam një eksperiencë më të gjatë sesa politika me njerëz më të rinj, që nga Akademia e Arteve, dhe gjithmonë kam qenë shumë i tërhequr nga mjediset dhe hapësirat e komunikimit me grupe njerëzish. Kam shumë dëshirë që t'i bëj gjërat në skuadër, t'i motivoj njerëzit në skuadër. Kam shumë dëshirë të mësoj nga pjesëtarët në një skuadër dhe këtë e kam dhe nga sporti. Po besoj që me gjithë bandën e Endri Fugës kam marrëdhënie shumë të mira.
Mazhoranca, mblodhi për herë të parë komisionin e tretë, për t'ju hetuar juve për atë që është cilësuar "incidenti i Vjenës", - shkulja e veshit. Në komentin e parë ju thatë që e konsideroni një medalje të radhës, por ende nuk kemi dëgjuar versionin tuaj mbi atë që u quajt "incidenti i Vjenës"?
(Qesh)... E kam thënë që ditën e parë, përmes zyrës së komunikimit, që është një gjë fantastike, për nga qesharakësia ku ka rënë ky pushtet i degraduar që po thërrmohet dita-ditës nga sytë e njerëzve, por është edhe diçka dramatike, për nga niveli mizerabël ku ka rënë qeverisja e vendit, ku ka rënë vetë vendi, për shkak të këtyre që e qeverisin. Megjithatë, më lejoni t'ju them që unë po argëtohem shumë me këtë historinë e veshit të çunit të vogël, është një pjesë e jashtëzakonshme komedie.
Jeni thirrur si dëshmitar në komision?
(Qesh) Në fakt, nuk e di kush më tha, s'e di sa e vërtetë është, që hetuesi është nipi i ambasadorit në Vjenë dhe si duket kanë zgjedhur dajën e nipit, se këta s'dinë të bëjnë më mirë asgjë sesa të zgjerojnë rrjetën e merimangës nepotike, ku dajallarë, xhaxhallarë, motra, kunetër, krushq, dhëndurë, nuse, janë shpërndarë në një kah të rëndësishëm të administrimit të shtetit, por edhe në të gjitha ambasadat tona, ku një grusht ambasadorësh profesionistë përpëliten të rrethuar nga këta mediokër që u ngjajnë tregimeve, kujtime të një Shqipërie që e kemi lënë pas, por e kemi rrotull, që s'ka të bëjë fare me epokën dixhitale, por vazhdon të jetë në batakun e një sherbeti oriental të pagëlltitshëm.
Z. Rama, në fakt ndryshimi sigurisht që vjen përmes votës, përmes asaj vote që e mbikëqyr KQZ, që në fakt tani është i përgjysmuar vetëm me katër anëtarë. Çfarë keni ndërmend të bëni me këtë institucion? Do të mund të shkohet në zgjedhje me këtë institucion të përgjysmuar?
Kjo nuk është zgjedhja jonë. Kjo është zgjedhja që bën Saliu dhe partia e tij familjare, por për ne nuk ka asnjë problem. Madje kështu mund të jetë edhe më mirë, sepse përgjegjësia është e plotë dhe lakuriqe në raport me detyrimin për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe një KQZ totalisht e politizuar, haptazi e gjymtuar dhe përditë e urdhëruar nga pushteti politik, është një KQZ që është tërësisht e ekspozuar përballë çdo lloj rreziku që mund t'i kanoset nga futja e duarve në procesin zgjedhor. Le ta mbajnë kështu në qoftë se nuk duan ta riformatojmë, për t'i dhënë ekuilibër, për t'i dhënë normalitet procesit. Le ta marrin në ballkonin e shtëpisë së kryeministrit, po të duan t'i zëvendësojnë katër anëtarët e KQZ-së me katër anëtarë të familjes së kryeministrit. S'ka problem fare, le ta bëjnë pronë shtëpiake edhe KQZ-në, siç kanë bërë pronë të shtëpisë shumë prona që s'janë të vetat. Le të përballen me popullin nëse do guxojnë të prekin qoftë edhe një votë.
Ju vetë, nuk do të propozoni anëtarë, edhe pas apelit të djeshëm të ambasadorit Volfart për zgjidhjen e ngërçit në KQZ?
Kjo historia e apeleve të ambasadorit të OSBE-së është paksa e ngatërruar për t'u marrë vesh. Praktikisht bëhen apele për zgjidhjen e ngërçit dhe apeli nuk ka adresë. Është njësoj si të thuash që, qoftë dhunuesi, qoftë viktima, janë bashkëfajtorë, duhet ta zgjidhin bashkërisht, në një kohë që dhunuesi është duke dhunuar viktimën dhe viktima nuk ka mundësi të kundëreagojë. Në rastin konkret opozita është viktimë, është dhunuar me forcën e kartonëve, në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin, me Kodin Zgjedhor, të miratuar me konsensus, dhe nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse të jetë e gatshme për të dialoguar për të kthyer KQZ në ligjshmëri. Ndërsa për sa i përket plotësimit të vendeve, vendet ishin plot dhe u zbrazën nga ikja e njerëzve, që sipas Kodit zgjedhor dhe etikës sonë ishin zgjedhur për të qenë të pavarur. Nuk i kemi zgjedhur nga radhët e partisë, as për t'i pasur ushtarë të partisë e për t'u marrë fytyrën dhe integritetin, por si profesionistë të ndershëm, me integritet, eksperiencë dhe etikë. E vlerësoj gjykimin e tyre, për ta braktisur atë trupë të marrë peng nga pushteti dhe për të mos u bërë pjesë e një farse. Si mundem unë apo ne që të kërkojnë të tjerë të asaj kategorie të shkojnë atje, për të bërë çfarë, për të bërë farsën dhe fasadën?! Jo, kjo s'do ndodhë!
Meqë jemi tek aleancat, cila është pika e fortë e formacionit tuaj prej 40 partish? Ka në të komunitet grek e çam, por edhe parti tradicionale si PSD e PDS, përveç afrimit të bujshëm të LSI-së drejt Rilindjes suaj?
Është një front më i madh se asnjëherë, për të garantuar rotacionin përmes votës dhe për t'i dhënë vendit qeverinë dhe qeverisjen që meriton.
Ku mëkatoi kaq rëndë AK-ja, që u shndërrua papritur në delen e zezë të panoramës politike dhe objekt i zemërimit dhe linçimit nga socialistët? A mund të na zbardhni negociatat me këtë forcë politike?
Nuk gaboi askund, thjesht nxori fytyrën e vërtetë që e kishte maskuar me sukses për një periudhë të gjatë, duke ndërtuar një proces negociatash vetëdiskreditues, që ishte gati-gati ulëritës për ne, në gjithë falsitetin e vet. Një proces negociatash i ndërtuar për të mos e bërë marrëveshjen për koalicion me kërkesa provokative, që i kemi përballuar e duruar me shumë qetësi në emër të interesit dhe ndërtimit të një koalicioni sa më të gjerë, por që ditë pas dite na ka dhënë të kuptojmë që shqiponja është një sorrë.
Të hënën, në KQZ duhet të dorëzohen listat e kandidatëve për deputetë. Sa për qind do të jetë gjaku i ri në këto lista dhe sa nga emrat e deputetëve aktualë nuk do ta kalojnë më pragun e parlamentit?
Nuk kemi bërë analiza gjaku për të parë përqindjet, por baza do jetë ky grup parlamentar dhe sigurisht do vazhdojë procesi i natyrshëm që ka karakterizuar PS-në, i ripërtëritjes së gjakut përmes nevojës për një harmoni sa më të mirë përmes atyre me eksperiencë dhe atyre që vijnë si rishtarë. Sot ne kemi një grup parlamentar ku janë formuar dhe konsoliduar profile të reja në politikën shqiptare. Dhe kjo është një eksperiencë shumë e mirë që do e kultivojmë, por absolutisht do të qëndrojmë mbi grupin ekzistues, si një bosht shumë solid dhe një forcë e gatshme për të marrë në dorë fatet e vendit.
Si do të jetë fushata juaj, zoti Rama? Çfarë do të shohim në të dhe a keni kontraktuar ju ndonjë kompani të huaj për të konceptuar fushatën, siç është bërë tashmë traditë prej disa palë zgjedhjesh?
Ne nuk kemi kompani të huaja, jemi mjaftueshmërisht të gatshëm për ta përballuar vetë sfidën e një fushatë që për ne ka qenë inovative, dhe pa modesti këtu, them që kemi ndihmuar edhe të tjerët që të përmirësohen.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›