E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Bashkëpunim me Microsoft për prokurime publike me inteligjencë artificiale

TIRANË, 11 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Shqipëria po punon me Microsoft për të përgatitur prokurimin publik me inteligjencë artificiale, duke u shndërruar kështu në modelin e parë në Europë të prokurimeve pa kontaktin njerëzor në 95% të procesit.

I pranishëm në aktivitetin e javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, kryeministri u ndal te sistemi i prokurimeve publike në Shqipëri.

Rama kujtoi se “për prokurimet u nisëm nga një vend shumë i zymtë ku ishim të fundit në rajon për sa i takon cilësisë dhe integritetit të prokurimeve”.

Ndërkohë bazuar në vlerësimin e fundit të SIGMA-s, që vepron në kuadër të BE-së, Rama theksoi se Shqipëria kryeson në rajon me 80 nga 100 pikë, ndërsa vendi i dytë është me 70 pikë, kjo për cilësinë dhe integritetin e prokurimeve.

“Por ne jemi edhe më ambicioz se sa kaq. Po punojmë me Microsoft për të përgatitur prokurimin me inteligjencë artificiale 360 gradë që praktikisht do të jetë modeli i parë në Europë i prokurimeve pa kontaktin njerëzor në 95% të procesit”, tha ai.

“Shpresojmë që deri në fund të vitit tjetër do të jetë gati për të funksionuar dhe pastaj asnjë vend mesdhetar i BE-së nuk mundet të na thotë se kemi probleme me integritetin e prokurimeve publike sepse mund t’i sfidojmë dhe pastaj do të ndiheshin me turp”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›