Rama: Berisha provokon. Ne duam të hapim kutitë
Kryesocialisti Edi Rama kërkoi sërish dje që Partia Socialiste të ketë shumicën në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet si kusht për kthimin në Parlament. Vetëm pak orë pasi Kryeministri Berisha deklaroi se PS duhet të bëjë denoncimet në prokurori për çdo shkelje që ajo ka konstatuar në zgjedhje, Rama reagoi duke u shprehur se këto deklarata janë provokime dhe fshehin frikën e Kryeministrit nga hapja e kutive. "Sali Berisha thotë se është gati të na japë shumicën, por jo të drejtën për të vendosur për objektin e hetimit. Ndërkohë që, objekti i hetimit të komisionit parlamentar nuk mund të kufizohet për asnjë çështje dhe në rastin konkret nuk mund të përcaktohet nga vullneti i Sali Berishës dhe i shumicës së tij në Parlament, që buron jo nga vullneti i shumicës, por nga votat e grabitura të tyre. Ne e duam shumicën në komisionin hetimor parlamentar, për të hapur kutitë dhe jo për të hapur një tjetër hetim parlamentar të dështuar dhe të turpshëm si hetimet e Sali Berishës", deklaroi Edi Rama. Ai theksoi nevojën që opozita të ketë shumicën në Komisionin Parlamentar për të hapur kutitë e votimit, pasi sipas tij, Berisha e di mirë se në ato kuti fshihet krimi i tij elektoral, fshihet manipulimi i tij me kartat, pasaportat dhe listat e zgjedhësve. "Duam të bëjmë detyrën tonë duke rivendosur drejtësinë, për të nxjerrë në dritën e diellit atë që Berisha e mban peng në terrin e kutive" u shpreh Rama. Kreu socialist theksoi se deklaratat e Kryeministrit, të konsideruara të papranueshme nga ana e tij, e shtojnë edhe më shumë masën e arsyes pse sot në orën 5 qytetarët duhet të bashkohen në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të protestuar kundër asaj që socialistët e quajnë krim elektoral i 28 qershorit. Rama deklaroi edhe njëherë bindjen e opozitës për të mos u kthyer në sallën e Kuvendit pa u plotësuar kërkesat e saj.
"Ne duam shumicën e komisionit hetimor, për të shpëtuar demokracinë nga pakica, që me pushtetin e grabitur kërkon të grabitë, jo vetëm pasuritë e shqiptarëve, por edhe liritë e të drejtat e tyre, dinjitetin e tyre në atdheun e tyre, ku Sali Berisha ëndërron të sundojë pa zgjedhje të lira derisa të vdesë", vërejti kreu i PS. Ndër të tjera, Rama i ka bërë thirrje Kryeministrit të sqarojë qytetarët përse nuk përfituan lëvizje të lirë, më 2005-n kur, "nuk do të mundë të realizojë premtimet e tij as në janar të vitit 2010". "Ku janë vizat e premtuara gjatë fushatës? Ndërkohë që serbët, malazezët e maqedonasit më 1 janar do të lëvizin pa viza, ne jemi të izoluar për shkak të Sali Berishës", theksoi kreu socialist.