E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Berishës: Hap kutitë ose largohu, në Kuvend nuk hyjmë


Kreu i PS-së, Edi Rama pas mbledhjes me grupin parlamentar socialist kë deklaruar se opozita nuk do të hyjë në Kuvend deri në hapjen e kutive. Por pas përfundimit të afatit vënë nga opozita për Berishën, tashmë, opozita në protestat e saj, nuk do kërkojë vetëm transparencë të zgjedhjeve, por edhe largimin e Berishës nëse nuk hapen kutitë e votimit.
Kryesocialisti vlerësoi se rrëzimi i kërkesës për hapjen e kutive, mospranimi i hetimit parlamentar nxorri në pah natyrën antidemokratike të këtij pushteti dhe bëri të kuptueshëm modelin e Berishës për njehsimin e pushtetit me shtetin e së drejtës.
"Ndaj ne bëmë zgjedhjen e duhur, betejë për të shkatërruar këtë pushtet. Ne nuk hyjmë në Parlament pa u çmontuar 28 qershori para gjithë shqiptarëve, si precedent i korrupsionit elektoral, pa u rishprehur vullneti i qartë për të ngritur shtetin e së drejtës. Hapja e kutive, hetimi parlamentar do të ishte zgjidhja më e mirë për parlamentin e kuvendin, të dyja pa legjitimitet dhe në krizë", u shpreh Rama.
Sipas tij, hapja e kutive do ishte zgjidhja më e mirë edhe për Saliun e dytë, që nga transparenca do humbte vetëm njërën faqe, por kështu i humbi i gjithë fytyrën.
"Ne tashmë në protestat tona nuk do kërkojmë vetëm hapjen e kutive, por largimin e Berishës nëse nuk hape kutitë. Në do të bëjmë protesta në të gjithë Shqipërinë. Do të bëjmë një protestë madhështore para Kryeministrisë, me kutinë e mbyllur, në kohën e duhur", shtoi Rama.
Kryetari i PS-së, tha se mbrëmë Berisha mbylli në mënyrën më të turpshme kohën që PS-ja i dha për reflektim. "Ai vendosi shenjën e barazimit dhe mafias, goditi rrethin time familjar e miqësor, dhe në fund të 10 ditëve iu kthye deputetëve duke nxjerrë dosje", tha Rama.
Kreu i PS-së deklaroi se Berisha ka hapur me opozitën një luftë të humbur që jo vetëm thellon krizën e shtetit të së drejtës e demokracisë, por godet edhe ekonominë dërrmuar të vendit. Rama ka kërkuar ngritjen e padisë ndaj kreut të qeverisë Berisha, për shpifje. "Unë sot shpreh solidaritetin tim dhe PS-së me ato deputetë që dje u përmendën nga Berisha për shkak të sipërmarrjeve të tyre, fëmijëve apo të afërmve të tyrë. Ju ftoj të gjithëve të padisim në gjykatë Berishën për të gjitha shpifjet, dhe pa e falur", theksoi ai. Gjatë fjalës së tij, Rama ka akuzuar edhe anëtarët e familjes së kryeministrit, sipas të cilit vajza ka kaluar në dorën e saj vendime të rëndësishme shtetërore, ndërsa djali ka shërbyer si sekser për kompani të ndryshme si ajo në Gërdec apo në rrugën Durrës-Kukës.
Madje Rama e akuzoi Shkëlzen Berishën edhe për trafik armësh."Familja e Berishës i ka vënë gjoksin të gjitha transaksioneve të mëdha për përfitime ekonomike", shtoi ai.
Sipas Ramës, Berisha është pengesa e madhe që mban mbyllur kutitë. "Përpjekjet e Berishës për të mbyllur kurdinë e bërë me kutitë ka dështuar", argumentoi ai.
Në mbledhjen e grupit të PS-së ishin të pranishëm edhe deputetët Ben Blushi dhe Arben Malaj , kryetarë dhe sekretarë të PS-së në rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›