E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Biznesi i vogel ne krize ne do ta heqim taksen

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se vëmendja e opozitës drejtuar biznesit të vogël, që sot po përjeton një krizë, ka shqetësuar Qeverinë.

"Kriza e përgjithshme rëndon mbi ekonomitë familjare të ndërtuara mbi biznesin e vogël. Korrupsioni në administratë ndikon drejtpërdrejtë tek biznesi i vogël. Krijimi i një klime të mirë për biznesin mbetet një sfidë", tha Rama.

Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama u shpreh se lehtësitë nga ana e Qeverisë për biznesin e vogël nuk ekzistojnë.

"Jemi të gjithë në dijeni për gjendjen dëshpëruese ku ndodhet biznesi i vogël. Monopolet në ekonomi dhe klientelat, ndikojnë te biznesi.Eshtë e pavërtetë që Qeveria ka lehtësuar taksat për biznesin e vogël", tha Rama, duke shtuar se legjislacioni fiskal është ndryshuar mbi 60 herë në shtatë vite.

Kreu socialist premton se kur të vijë në pushtet, PS do ta heqë taksën e biznesit të vogël, pasi koha e saj ka kaluar.

Në mbledhjen e grupit, Rama njoftoi edhe largimin e deputetit Andis Harasani për arsye personale.

"Harasani do të vazhdojë të jetë një mbështetës i rrugës tonë", tha Rama, pa sqaruar më me detaje motivet e largimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›