E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Bregu i Lofatave” në Vlorë eksporton vaj ulliri premium në Europë dhe SHBA

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Në Risili të Vlorës, në ullishten “Bregu i Lofatave” ku janë kultivuar rreth 4000 rrënjë ullinj, prodhohet vaj ulliri ekstra i virgjër për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video nga ullishtja, duke theksuar se aktiviteti, i nisur në vitin 2009, po vijon të zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

“Risili, Vlorë – Që prej vitit 2009, “Bregu i Lofatave” kultivon rreth 4000 rrënjë ullinj dhe prodhon vaj ulliri ekstra të virgjër, i cili eksportohet në Europë dhe SHBA, ndërsa me mbështetjen e AZHBR-së po investohet në mekanizim, përpunim dhe ambalazhim”, shkruan Rama.

Florian Shkoza, fermeri që administron ullishten, tregon se eksperiencën e fituar gjatë 20 viteve të jetesës dhe punës në Toskanë, Itali, e ka zbatuar edhe në Vlorë.

“Janë rreth 4000 rrënjë ullinj, të cilat i kemi filluar i kemi mbjellë duke filluar nga 2009-a. Kam jetuar 20 vjet në Toskana, dhe eksperienën e fituar atje në këtë lloj profesioni e kemi zbatuar këtu”, tha ai.

Ai tha se prodhojnë vaj ulliri premium, i cili tregtohet në disa vende të Europës dhe në SHBA, ndërsa falë bashkëpunimit me AZHBR-në janë ndërmarrë hapa të rinj për modernizimin e aktivitetit.

Sipas tij investimet e fundit përfshijnë mekanizimin bujqësor, si dhe linja për ambalazhimin, ruajtjen dhe etiketimin e vajit të ullirit.

“Kemi një bashkëpunim të gjatë me AZHBR-në, por së fundmi kemi aplikuar tek AZHBR-ja për tre projekte të përfshira në dy masa, Masa për mekanikë bujqësore, të cilën tashmë e kemi konkretizuar me sjelljen e makinerisë dhe Masën 15 të linjave të ambalazhimit, ruajtjes dhe etiketimit”, tha ai.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›