Rama: Brenda dy viteve, të gjitha shkollat me laboratorë Smart

TIRANË, 30 janar/ATSH/ ‘Plug and Play’, platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, ka hapur qendrën e saj te Piramida e Tiranës. I pranishëm në eventin për hapjen e këtij programi, ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se kjo platformë globale ka nxjerrë kolosë të teknologjisë dixhitale.
Kryeministri Rama në fjalën e tij, u ndal edhe te programi i qeverisë shqiptare për të pajisur me laboratorë inteligjentë të gjithë shkollat e vendit.
“Në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë. E kemi përmbyllur me AADF-në dhe për ata që nuk e dinë pse AADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe AADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit””, tha Rama.
“Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”. Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “plug and play” dhe ça janë këto të tjerat”,” u shpreh kryeministri.
Kujtojmë që falë investimit të deritanishëm në laboratorë “Smart”, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive.
Me implementimin e fazës së tretë, numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970, duke përmbushur kështu edhe një nga objektivat kryesorë për pajisjen e të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar me infrastrukturën e nevojshme, që do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.
/a.f/