Rama: Brenda mandatit të katërt pastrojmë me IA “barin e keq” nga lëndina e legjislacionit tonë

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm prezantimin e raportit të monitorimit të OECD/SIGMA.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se është i palumtur me cilësinë që kemi në talk-management në administratën publike, duke shtuar se në këtë aspekt ka shumë punë për të bërë.
“Dua të shpreh dakordësinë time edhe me një element tjetër, që në fakt besoj që Adea dhe të tjerë mund ta dëshmojnë që është kështu si po them, unë personalisht jam i palumtur me mënyrën se si ne kemi ecur dhe me cilësinë që e kemi sot në talk-management në administratën publike. Dhe këtu kemi shumë punë për të bërë dhe ne do ta mirëpresim çdo lloj ndihme me dije, se si mund ta adresojmë këtë problematikë, pasi jemi dhe në një fazë historike me gjithë procesin e reformës në drejtësi, me gjithë procesin e çlirimit të drejtësisë nga duart e politikës, ku duhet të përballim bashkërisht edhe nevojën që proceset e punës në administratë, proceset e punës në të gjitha ato pjesë të funksionimit të qeverisjes ekzekutive që lidhen që me vendimmarrjen, deri tek prokurimet, nuk janë procese të lehta për t’u administruar dhe nuk janë procese të lehta për t’u hetuar apo për t’u gjykuar dhe kështu ndodh që, për fat të keq, në tërësinë e gjithë punëve të mira që po bëhen në drejtim të luftës kundër korrupsionit të shohim edhe në tkurrje të administratës, si rezultat i një ndjenje pasigurie që krijohet nga eksese të caktuara në këtë drejtim,” tha Rama.
Rama tha se kjo është një “problematikë që ne duhet ta adresojmë sa më shumë së bashku me Komisionin Europian, sa më shumë së bashku me SIGMA-n në këtë rast, nëse është e mundur edhe me organizmat e tjerë”.
Rama nënvizoi po ashtu se janë bërë shumë përpjekje për të lehtësuar qytetarët në raportin me administratën, ku theksoi digjitalizimin e shërbimeve publike. Rama tha se jemi një vend lider në rajon dhe jemi ndër vendet e cilësuara në nivelin e parë, për sa i përket shërbimeve online edhe në Europë.
“Tjetra, ne kemi bërë shumë përpjekje për të lehtësuar qytetarët në raport me një administratë e cila ka qenë dhe mbetet, jo këtu, por në të gjithë rajonin tonë, e përgatitur për t’iu përgjigjur qytetarëve, ashtu siç përgjigjet administrata gjermane; dhe në këtë aspekt besoj që edhe ne, ballkanasit, nuk jemi dhe aq vetëm, sepse kemi dhe fqinj të tjerë që janë në Bashkimin Europian dhe nuk është se shkëlqejnë në mënyrën se si administrata u përgjigjet qytetarëve. Por, bekimi ynë në këtë rast është që jemi në kohën kur mund të përdorim teknologjinë dhe me digjitalizimin intensiv që kemi bërë të shërbimeve publike, sot jemi një vend lider në rajon dhe jemi ndër vendet e cilësuara në nivelin e parë, për sa i përket shërbimeve online edhe në Europë, pra me një grup vendesh që janë më përpara, dhe 95% të shërbimeve i kemi online, që do të thotë që nga dita e parë, deri më sot janë dhënë 47 milionë shërbime, në sensin, ka pasur 47 milionë ndërveprime mes qytetarëve dhe administratës. 47 milionë, që përndryshe do të kishin qenë 47 milionë vajtje në radhë, do të kishin qenë 47 milionë pritje përpara një sporteli, do kishin qenë 47 milionë raste kur mund të hynte në mes bakshishi, ryshfeti, do të kishin qenë 47 milionë mundësi që të të kthenin mbrapsht e të të thonin: “Hajde një ditë tjetër, sepse…” etj., etj. Dhe në këto 47 milionë, një pjesë e tyre janë ndërveprime mes qytetarëve shqiptarë jashtë Shqipërisë, që pa shërbimet online nuk do të mund kurrë t’i merrnin këto shërbime pa ardhur vetë në Shqipëri për të bërë radhën, për të pritur shansin, e kështu me radhë,” u shpreh Rama.
Rama u ndal po ashtu edhe te mbivendosja e akteve nënligjore, ndërsa shtoi se mund të “pastrohen” duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Rama nënvizoi se ky është një proces që ka nisur dhe se brenda mandatit të katërt, “do të pastrojmë të gjithë pjesën e barit të keq, po themi, në lëndinën e legjislacionit tonë”.
“Mirëpo, paralelisht me derregullimin, është shumë e vërtetë ajo që tha zoti Virant, që ne kemi në nivelin e legjislacionit primar, pra të ligjeve, ne jemi shumë të vëmendshëm dhe vlerësimet janë vërtetë të mirëseardhura, sepse bëhet fjalë për një legjislacion që i adaptohet legjislacionit europian.
“Në nivelin e dytë, në nivelin e akteve nënligjore, ne prodhojmë shumë dhe ky është një problem, prodhojmë shumë dhe kemi shumë mbivendosje dhe këtu jam shumë optimist për faktin se me modelin e Inteligjencës Artificiale që kemi krijuar për integrimin në Bashkimin Europian, duke i dhënë mundësi vetes që atë proces për të cilin vendet e tjera, Sllovenia apo Kroacia apo të tjerë më parë, kanë angazhuar një ushtri me përkthyes dhe një ushtri me juristë për të bërë drafte, ne mund ta bëjmë në 95% të punës me këtë model të Inteligjencës Artificiale dhe kjo është diçka që po ndodh aktualisht, pra, modeli është testuar me sukses dhe ka filluar të punojë,” tha më tej Rama.
“Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë testimet për të bërë një radiografi të thellë të gjithë legjislacionit dhe të akteve nënligjore pastaj, për sa i përket mbivendosjeve, dhe duke pasur një skaner të plotë të të gjitha mbivendosjeve në legjislacion ku ndodh jo rrallë që diçka që ta jep një ligj, nuk ta jep një VKM, diçka që ta jep një VKM ta ndalon një ligj, diçka që në një ligj thuhet se të takon, në një ligj tjetër thuhet se nuk të takon, mund të pastrohen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale,” nënvizoi Rama.
“Ky është një proces që ka nisur dhe unë besoj se në mandatin e katërt ne jo vetëm që, nga njëra anë, do të arrijmë objektivin dhe të jemi gati për anëtarësimin, por nga ana tjetër, do të pastrojmë të gjithë pjesën e barit të keq, po themi, në lëndinën e legjislacionit tonë,” u shpreh Rama.
/a.f/r.e/