Rama: Durrësi – destinacion akademish sportive, në bisedime për krijimin e akademisë së NBA-së

TIRANË, 4 prill/ATSH-Maela Marini/ Autoritetet shqiptare janë në bisedime me NBA-në për ndërtimin e Akademisë së NBA-së në Durrës. Kjo do të jetë Akademia e tretë sportive ndërkombëtare në Durrës, pas atyre të “Manchester City” dhe “Rafa Nadal”.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama gjatë konkursit për përzgjedhjen e projektit për rijetësimin e stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.
Rama solli në vëmendje disa projekte të rëndësishme që po realizohen në vend, të cilat synojnë të krijojnë pole zhvillimi.
“Po punohet dhe është në kantier Akademia e re e Futbollit, Akademia e Manchester City në Durrës. Së shpejti do të fillojmë akademinë e Rafa Nadal po në Durrës dhe Agjencia është në diskutime me NBA për Akademinë e NBA po në Durrës, ku duam të krijojmë një destinacion akademish sportive”, shtoi ai.
Rama përmendi edhe disa procese të tjera të filluara, si ai për ndërtimin e qendrës së re administrative pranë stadiumit “Selman Stërmasi” që do të akomodojë 18 institucione shtetërore.
“Kemi po ashtu procesin për ndërtimin e godinës së re të Kadastrës, të domosdoshme për shumë arsye që janë të lidhura me konsolidimin e gjithë procesit të punës së Kadastrës. Biblioteka e re Kombëtare, një konkurs që do të shpallet së shpejti për sa i përket zhvillimit privat në funksion të investimeve për Bibliotekën e re Kombëtare”, shtoi ai.
/a.f//r.e/