Rama: Është në dorën e drejtësisë të na provojë nëse Ahmetaj është i fajshëm apo jo

Kryeministri, Edi Rama, në një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë, pas votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit dhe miratimin e kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt, deklaroi se shumica socialiste votoi pro kërkesës së SPAK-ut, pasi ndryshe nga rasti “Tahiri”, ku prokurorët erdhën me copa gazetash, këtë rradhë kishin një dosje të madhe.
“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin.
Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie, por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve.”- theksoi Rama.
Sipas tij, rasti i vetëm në memorien historike të 33 vjetëve nga rënia e sistemit të drejtësisë proletare, kur një njeri me pushtet është dënuar nga gjykatat e këtij vendi, ishte ai i ish-kryeministrit Fatos Nano, në fakt, “rasti i fundit i traditës shtetërore shqiptare, të persekutimit dhe burgosjes politike të një kundërshtari të pushtetit arbitrar të radhës, që nga koha e përpara mbretërisë e deri shumë vonë”.
Kryeministri në mesazhin e tij nënvizoi se kur ka thënë se dëshëron një reformë për të mos e vënë drejtësinë nën kontrollin e një pale kundër tjetrës, por do një drejtësi të re, të pavarur nga pushteti i politikës, të aftë për ta luftuar korrupsionin e niveleve më të larta dhe krimin e organizuar, të ndershme në hetimet e gjykimet e saj, pavarësisht ngjyrave partiake, lidhjeve klanore, tundimeve korruptive, nuk ka qenë vetëm lideri i opozitës, po edhe kryeministri i Shqipërisë.
“Nuk kam folur për të qenë në rregull me manualin e komunikimit të kryetarit të qeverisë, si paraardhësit e mi. As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur papushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit aso kohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar.”- deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë ka bërë edhe një analizë të angazhimit të të PS për Reformën në Drejtësi, si një përpjekje këmbëngulse edhe nga ana e tij personalisht që ajo të miratohet, ndonse u rrezikua që të rrezikohej edhe qeveria.
“Kur kam folur për sistem të vjetër, nuk kam pasur parasysh vetëm kalbësirën kutërbuese të drejtësisë gjasme demokratike të çerek shekulli tranzicion, ku pandëshkueshmëria ishte kthyer në një normë poshtëruese për shqiptarët e për Shqipërinë. Po kam pasur parasysh edhe vetë kulturën mjerane të një drejtësie të egër për njeriun e zakonshëm dhe të një drejtësie të gjunjëzuar para njeriut të veshur me pushtet, kulturë që rrënjët i ka të shtrira qysh nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar dhe deri vonë në ditët tona sepse asnjëherë, që nga viti 1912 dhe deri në vitet kur ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, i hymë detit në këmbë, për ta nxjerrë matanë Reformën në Drejtësi, nuk kishte bërë kurrë vaki, që një shkelës ligji me pushtet, të trajtohej nga drejtësia si një njeri i zakonshëm në shkelje të ligjit.“- theksoi Rama.
Kryeministri ishte i drejtëpërdrejtë edhe në mesazhin për bashkëpunëtorët e qeveritarët e tjerë, kur ka theksuar se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, “merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë”.
“Ua kam thënë shumë troç dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve, unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë.
E prandaj edhe fati i rrugës së përbashkët është një, i përcaktuar nga e përbashkëta e përpjekjeve tona nën dritën e diellit, ndërsa fatet e bashkudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për njëqind e një arsye, ama njëra ndër të cilat është niveli i rezistencës ndaj tundimit të pasurimit të paligjshëm, në ndërveprimet e panumërta për shkak të detyrës, larg syve të publikut dhe në kontaktet me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë.
Afërmendsh nuk është asnjëherë dit e mirë, një ditë kur kjo e vërtetë materializohet, duke marrë fytyrën e bashkudhëtarëve konkretë, sepse ndjesia lënduese, herë e zhgënjimit, herë e disproporcionalitetit e herë e thjesht befasisë është e fortë dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe, por në fund, mbetet gjithnjë fakti se të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast.”- theksoi Rama.
Shefi i qeverisë ka pasur edhe një mesazh ndaj atyre që ai thekson se “njihen botërisht si armiq të Reformës në Drejtësi apo si matrapazë publikë të luftës për drejtësi”.
“Ata janë në një garë të ethshme mesveti për gjak, për baltosjen tonë nga të katër anët apo për vetëngushëllim, teksa era e nënvedit po i mbyt nga frika e drejtësisë, u them se i mëshiroj për ultësinë e qenies së tyre dhe i mirëpres me durimin më të madh gjylet e baltës së tyre. Fatkeqësisht ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi, janë turpi dhe mallkimi i vjetër më shumë se njëshekullor i Shqipërisë, po fatmirësisht nuk habisin po as nuk bindin më askënd, mëkatarë të mëdhenj dhe shpirtra të ndrydhur, me të cilët merret populli shqiptar si askush tjetër nuk merret dot, sa herë që kanë kurajo e dalin të kërkojnë vota prej tij, gjithnjë e më të kërrusur, gjithnjë e më të vrerosur, gjithnjë e më të humbur, nën peshën e boshllëkut të tyre.”- komentoi kryeministri.
Reforma në Drejtësi, sipas tij, është “përpjekja më e madhe që mund të bëhet për Shqipërinë evropiane të fëmijëve tanë, të cilët nuk do të jetojnë më në një vend me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të dobët për të fortët, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara”.
/rtsh.al/