Rama: Evropa duhet të komunikojë me Putinin, diplomacia është domosdoshmëri

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën “Lennart Meri” në Estoni se Europa duhet të ndërtojë kapacitetet e saj mbrojtëse, por pa humbur identitetin dhe vlerat që e kanë bërë fuqi të butë globale.
Në përgjigje të pyetjeve të panelit mbi sigurinë evropiane, marrëdhëniet me SHBA-të dhe luftën në Ukrainë, Rama tha se debati evropian nuk duhet të fokusohet vetëm te presidenti amerikan Donald Trump, por te aftësia e vetë Evropës për të garantuar sigurinë dhe konkurrueshmërinë e saj.
“Kur bëhet fjalë se çfarë ka në sfond, gjëja më e lehtë është të godasim SHBA-në apo Trumpin, ndërkohë që problemi ynë nuk është Trumpi, nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk është çështja nëse vijnë a ikin. Është kështu siç është. Siç thotë edhe Trumpi. Problemi ynë është se si do të bëhet Evropa një fuqi që do të përballojë këtë rritje të kapacitetit të saj ushtarak, ndërkohë që në të njëjtën kohë bëhet apo është ai vendi që të gjithë kemi adhuruar kur ishim përtej murit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se, Evropa duhet të ruajë modelin e saj ekonomik dhe politik, duke shmangur fragmentarizimin e tregjeve dhe mbështetur zhvillimin teknologjik.
“Pra, të jetë vendi i konkurrueshmërisë, të bëhet vendi i një tregu të mirëfilltë të përbashkët, të bëhet një vend me një treg të pafragmentarizuar energjetik, një vend ku inteligjenca artificiale nuk është thjesht dhe vetëm e rregulluar, por edhe krijuar dhe ndjesë, por të bëhet vendi ku nuk duhet të harrojmë se ajo çfarë e ka bërë Evropën atë që është, nuk është fakti që Europa hyn në luftë, por sepse Evropa ka qenë fuqia më e jashtëzakonshme e butë në botë”, tha Rama.
Rama u shpreh se Evropa duhet të komunikojë drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin.
“Është po kështu diçka tjetër. Evropa duhet të flasë me Vladimir Vladimiroviçin. Jo thjesht të flasë për Trumpin. Dhe të flasësh me Vladimir Vladimiroviçin nuk është e lehtë, e di. Nuk do të thotë të mos mbështetësh Ukrainën. Do të thotë që ta mbështesësh Ukrainën deri në fund, por edhe të kuptosh që për të nderuar Evropën dhe kulturën dhe historinë evropiane na duhet ta luajmë ndryshe”, tha Rama.
Rama shtoi se diplomacia mbetet e nevojshme edhe në konfliktet më të ashpra.
“Po ISIS ka rekrutuar më shumë njerëz, por Evropa nuk mund të kopjojë ISIS-in, sepse ne duhet të synojmë për diçka krejt ndryshe. Kjo është gjëja, që ne shmangim tërë kohën. Zotëria tha aty Spanja etj. Dëgjoni, Pedro Sanchez ka dhënë një argument shumë të mirë”, vijoi Kryeministri.
“Sanchez nuk ka nevojë për mua që t’i bëj avokatin. Por ai dha një argument shumë të mirë që nuk ka të bëjë me sa për qind, por ka të bëjë me kapacitetet. Ka të bëjë me mënyrën se si këto i ndërtojmë këto kapacitete që janë mbrojtje evropiane, jo thjesht mbrojtje estoneze apo angleze e kështu me radhë. Mbrojtje evropiane dhe jemi kaq larg kësaj saqë gjithë kohës përpiqemi që të marrim përgjigje se si Trumpi do të bëhet më pak i apasionuar të na hutojë apo të na bëjë konfuzë. Kjo nuk do të ndodhë”, vuri në dukje Rama.
Deklaratat e Ramës u komentuan edhe nga Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, i cili theksoi se problemi është Putin dhe se Evropa nuk duhet të kërkojë sigurinë e saj te Kremlini.
“Jam dakord që problemi është Putin. Po është një problem, problem real dhe problem është edhe dobësia e Evropës. Evropa ka qenë projekt paqeje, pa armë dhe tashmë po bëhet një projekt paqeje me armë dhe kërkon shumë ndryshime. Evropa sidoqoftë nuk duhet të kërkojë nga Putini sigurinë evropiane. Nuk është kjo mënyra e duhur”, tha Michal.
Në replikën e tij, Rama sqaroi se nuk po kërkonte që Evropa të mbështetej te Rusia për sigurinë e saj, por që të mos hiqej dorë nga komunikimi diplomatik.
“Kjo është e qartë. Unë nuk e thashë këtë. Më fal, Izraeli dhe Hamasi hidhen në fyt të njëri-tjetrit deri në vdekje dhe ndërkohë flasin me njëri-tjetrin. Mos harroni unë vij nga një vend që qysh prej viteve 1960 asnjë nuk ka shkuar në Moskë dhe asnjë nuk vjen nga Moska. Kështu që jam absolutisht larg dikujt që kërkon të takohet me Vladimir Vladimiroviçin. Por dikush duhet të takohet. Atëherë në të kundërt çfarë bëjmë? Përgatisim çfarë? Rusia është aty. Nuk është se do të shkojnë në vend tjetër. Pra, ndërkohë që bëjmë gjithë ato sa u thanë me të drejtë, diplomacia është një domosdoshmëri, atëherë pse tetë udhëheqës shkojnë te Trumpi, ulen me të dhe i thonë çfarë të tha Vladimiri? Le të shkojnë drejtpërdrejtë”, tha Rama.
1 nga 11/gj.m/j.p/