E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Famingot u kthyen në arenë të një beteje të globalizuar politike që nuk ka lidhje me Nartën

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër investimit në Zvërnec.

Gjatë fjalës së tij në rubrikën “Shënimet e javës”, kreu i qeverisë tha se flamingot, Zvërneci dhe natyra nuk kanë nevojë për “turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit”, por për diskutim të bazuar në fakte dhe bashkëpunim.

Ai shtoi se projekti që ka nxitur debatet është ende në fazë zhvillimi dhe se diskutimi duhet të përqendrohet te përmirësimi i tij, jo te kundërshtimi i tij pa u njohur ende plotësisht me përmbajtjen.

“Njeriu mendon se po mbron flamingot, se po mbron Zvërnecin, se po mbron Shqipërinë, ndërkohë që po mbron interesat e dikujt tjetër, për të cilin interesat e Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë.

Njeriu mendon se po lufton për diçka shumë fisnike, ndërkohë që është bërë një ushtar në një betejë që faktikisht nuk është më e tija. Ashtu si Fabrice del Dongo, ai hyn në fushën e betejës i tërhequr nga magneti i një ëndrre fisnike dhe dalëngadalë rrezikon të zbulojë shumë vonë se beteja ku u përfshi nuk ishte ajo që kishte besuar. Dhe mësimi i Fabrice del Dongos nuk është të heqësh dorë nga ëndrrat, nuk është të heqësh dorë nga dëshira fisnike që të jesh një ushtar i natyrës, që të jesh një vullnetar në mbrojtje të biodiversitetit, që të jesh një zë, një aktivist në kërkim të një harmonie sa më perfekte mes natyrës dhe zhvillimit. Përkundrazi, është të mos lejosh që ëndrra të bëhet më e fortë se e vërteta dhe që, duke u bërë fanatik, të rrëzosh mundësinë e bashkëpunimit me faktet dhe me të tjerë që ti nuk do ta shohësh se mendojnë si ti, duan të njëjtën gjë që do ti”, tha Rama.

Rama tha se debati nuk lindi sepse opinioni ndërkombëtar u shqetësua papritur për fatin e flamingove, por sepse në Nartë u zhvendos një përplasje më e gjerë politike kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Kryeministrit, kjo situatë u shoqërua me urrejtje, mllef dhe zemërim me natyrë politike e ideologjike, duke krijuar terren edhe për iniciativa që ai i cilësoi si “revolucion imagjinar”.

“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove, por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë politike, ideologjike, çfarë të doni, arsye që s’na interesojnë, krijoi kushtet që të hapej edhe një kanal, një revolucion imagjinar për ata që menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë, duke mbuluar një dorë tjetër”, tha Rama.

Rama tha se qeveria mbetet e angazhuar për të bërë më të mirën për Shqipërinë, natyrën, Zvërnecin dhe flamingot, duke kërkuar që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe jo të perceptimeve të krijuara nga narrativa të rreme.

“Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit. Për të ndarë së bashku faktet dhe jo për të fluturuar në një territor ku faktet nuk kanë asnjë vlerë. Dhe mbi të gjitha për të diskutuar për një projekt, i cili ende nuk është gati dhe për t’u marrë me mënyrën se si projekti mund të bëhet sa më i shkëlqyer dhe jo për ta rrëzuar, ndërkohë që ai është në lindje e sipër”, tha Rama.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›