E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Gjeta e nisi punën me 5 punëtorë pas kthimit nga emigracioni, sot jep rroga 1 mijë euro

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Gjithnjë e më shumë shqiptarë po kthehen nga emigracioni për të ngritur bizneset e tyre në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lezhë, në fabrikën e Deshir Gjetës, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja si dhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.

Deshir Gjeta nga Lezha është emigranti i rikthyer në atdhe prej 15 vitesh, për të nisur hap pas hapi një histori suksesi në tokën e tij, ku ka ngritur një fabrikë moderne për prodhimin e strukturave metalike.

“Deshir Gjeta, i kthyer nga emigracioni punën e nisi në tokën mëmë me 5 punëtorë dhe sot e ka shtuar deri në 45 persona duke zbatuar teknologjinë e fundit për prodhimin e strukturave metalike, dhe njëkohësisht duke rrezatuar shembullin e mirë të shqiptarëve që ndërtojnë dita-ditës sukses në tregun vendas dhe atë huaj”, u shpreh Rama.

“Ka 15 vjet që jam kthyer nga emigrimi dhe 5 vjet që kemi bërë këtë ndërmarrje. E kemi dhe si pasion edhe si mjet pune. Kemi marrë trajnues edhe nga jashtë për të trajnuar stafin. Për pagat po shkojmë thuajse në pagat e nivelit evropian, diku tek 1 milionë ose 1000 euro mesatarja”, tregon Deshiri, teksa shton se produktet e tij shiten në Gjermani dhe në Itali.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, i cili e ka ndjekur nga afër ecurinë e kësaj ndërmarrje të suksesshme tha se Deshiri rrezaton shembullin e mirë të shqiptarëve që ndërtojnë dita-ditës sukses në tregun vendas dhe atë huaj.

“Ka gjithë teknologjinë këtu. Ka krijuar një biznes të veçantë që është për t’u përshëndetur.  Është modeli se si vjen njëri nga jashtë dhe ndërton një gjë që ka vlerë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi investimin e bërë në teknologji, teksa theksoi se punëtorët e mirëpaguar janë një element shumë i rëndësishëm  në mbarëvajtjen e sipërmarrjes. “Teknologjinë e ke bërë shumë mirë se je konkurrent me tregun jashtë, por mos harro asnjëherë që mund të blesh makinën më të bukur, por po e pate shoferin të mërzitur se nuk paguhet mirë, të merr në qafë”, u shpreh Kryeministri.

1 nga 7

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›