Rama: Gjykatës që kanë frikë nga prokurori dhe fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “arrestimi pa gjyq është i paligjshëm. Gjykatës që kanë frikë nga prokurori dhe bien dakord që të fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem”.
Në takimin me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Kërrabë, Bërzhitë dhe Lagjja 12 të kryeqytetit, Rama tha se “është e rëndë, por ne do t’i qëndrojmë kësaj, do t’i qëndrojmë deri në fund, me çdo çmim. Kjo është një kosto që e merr një forcë që ka marrë përsipër të bëjë shtetin dhe cilido që ka marrë përsipër të merret me politikë dhe të marrë vendime në nivelin e parlamentit, në nivelin e qeverisë, në nivelin e bashkive, e ka marrë përsipër këtë kosto, edhe për të qenë viktimë e një padrejtësie”.
“Nga ana tjetër, ne, duke mos e vënë në diskutim pavarësinë dhe duke mos lejuar kënd që ta cenojë pavarësinë, dhe duke e prezantuar bufin e kënetës me “Noc Rrokun”, edhe për këtë çështje do të flasim hapur për gjërat që nuk shkojnë. Nuk e kemi bërë për 5 vjet. Se kemi bërë se ndryshe nuk do të kishte pasur dot drejtësi të pavarur këtu. Ne nuk duam që ndërkohë që ne duam të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, ndërkohë që ne duam ta kemi atë emrin Albania aty, të na çohen një ditë të bukur holandezët dhe të thonë: “Shiko, me Shqipërinë kemi një problem, sepse nuk ka më mungesë vullneti për të luftuar korrupsionin, por ka mungesë respekti për të drejtat e njeriun””, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “sot, Gjykata e Strasburgut nxori të paligjshëm arrestimin pa gjyq të ish-drejtorit të Radio Televizionit. Unë nuk e di fare, hiç! E as nuk kam për ta komentuar, edhe sikur ta di, nëse “është i fajshëm ose i pafajshëm, gjykata e ka nxjerrë të fajshëm”. Por ama, si e kanë nxjerr të fajshëm, si e ka nxjerr të pafajshëm gjykata, kjo është temë tjetër. Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm! Dhe mjafton të lexosh vendimin e Strasburgut për të kuptuar se sa shumë nga këto arrestime të paligjshme do t’i paguajë nesër taksapaguesi shqiptar në formën e dëmshpërblimit”.
“Pse? Pse duhet ta marrësh tjetrin, ta fusësh në burg pa gjyq, për të treguar që je i fortë? Për të treguar që je ti e s’ka tjetër këtu? Apo për të treguar që prokuroria dhe gjykata janë e njëjta gjë si në komunizëm? Dhe kjo, më shumë sesa për SPAK-un, është një këmbanë që bie për gjykatësit. Gjykatësit janë aty për të qenë të drejtë, të barabartë, të paanshëm, të pavarur, profesionistë e të tjerë, e të tjerë. Nuk janë aty për të mbajtur anën e prokurorit. Prokurori ka punën e vet, gjykatësi ka një punë tjetër”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin përpara, apo që kanë frikë nga prokurori, gjykatësit, dhe që bien dakord që të kapin e të fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem. Një njeri një, jo kaq shumë sa.. Po iu them unë kanë për të dalë komplet viktima për arrestimin pa burg flas për burgun është komplet gjë tjetër dhe madje pikërisht se është gjë tjetër është një argument për të thënë se: -Ti nuk ke pse e merr tjetrin peng përpara. Si ke ngritur akuzën, si i pandehur? I ke ngritur një akuzë si i dyshuar! “Tani, unë dyshoj për ty. Hajde, njëherë me mua të futesh brenda, që unë të kërkoj prova që ti je siç unë mendoj që ti je?” Po kush je ti?! Kush je ti?!”.
“Po 250 mijë njerëzit që kanë votuar? Çfarë janë ata? Apo janë kot?! Po një kontratë me këtë milet, që duhet ta zbatojë një pushtet i zgjedhur, apo është kot? E kush duhet t’i ndjekë gjithë 1001 punët dhe të mbajë përgjegjësi për votën që i kanë dhënë njerëzit? Prokurori? Apo Noci? Këto nuk shkojnë, dhe për këto më vjen keq, po ne nuk do rrimë pa folur”, tha Rama.
/k.s/r.e/