E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Hapim grupkapituj të rinj, fitorja është e sigurt, pyetja është sa i thellë do të jetë suksesi

Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama, e nisi rubrikën e tij “Sy më sy” me lajmin se është miratuar hapja e një tjetër grupkapitulli të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Dje, teksa po shkoja drejt Fierit, mora lajmin se është miratuar hapja e një tjetër grupkapitulli. Kemi hapur 16 kapituj, hapim edhe 8 të tjerë. Mbeten 11 për t’u hapur, dhe kam besim që me energjinë e 11 majit do t’i hapim edhe ato brenda këtij viti. Do të ishte një rekord evropian”, tha kryeministri.

Në vijim, kryeministri nuk kurseu ironinë ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, duke e cilësuar si një figurë të lashtë politike.

“Kush do të fitojë, bufi? Një politikan i lashtë, si një gjetje arkeologjike, që endet nëpër Teatrin e Butrintit sikur është ende në skenë. I dëshpëruar, pa shpresë, që nuk shkon as në shtëpi për hallin e vet… ai do të fitojë?”, tha Rama.

Rama u shfaq i bindur për fitoren në zgjedhjet e 11 majit, duke u shprehur se tashmë nuk diskutohet nëse do të fitojë apo jo, por sa e madhe do të jetë kjo fitore.

“Nuk është pyetja nëse do fitojmë, por sa do fitojmë. Padiskutim që do fitojmë. Pyetja është sa do na japë populli fuqinë për të çuar përpara integrimin europian të Shqipërisë”, tha ai.

Ai vuri theksin te rëndësia e mbështetjes masive në zgjedhje për të forcuar pozitat ndërkombëtare të vendit, për të cuar përpara reformat dhe procesin e antarësimit në BE./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›