Rama: Heqim përgjegjësitë penale për gazetarët, forcojmë transparencën dhe llogaridhënien

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të heqë aspektin penal për gazetarët. I pranishëm në Konferencën Kombëtare për të drejtën e Informimit, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria do bëjë atë që asnjë prej 24 vendeve të BE-së nuk e ka.
Rama deklaroi sot se heqja e aspektit penal për gazetarët është një hap kyç për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje.
Rama nënvizoi se informacioni publik duhet të jetë i aksesueshëm, i plotë dhe i përditësuar, duke krijuar një dialog të hapur midis qytetarëve, medias dhe institucioneve shtetërore. Ai theksoi rëndësinë e përdorimit të platformave dixhitale, si “Transparent Albania”, për të ofruar informacion mbi buxhetin, vendimmarrjet dhe programet publike.
“Po i kthehem historisë së medias online, 5 vite më parë u bë një debat i madh për një propozim shumë herë më modest se çfarë po gatuhet sot në BE për rregullimin e medias online. U bë nami i zi për lirinë, demokracinë.
Siç e keni parë nuk ka pasur vetërregullim. Tani të gjitha vendete shohin se gjëja po del jashtë kontrollit se media online është bërë një territor ku ndërhyjnë dhe forcat jo miqësore në BE, ndërhyhet në zgjedhje, etj,. Ne do bëjmë diçka që 24 vende të BE-së nuk e kanë. Shpifja dënohet penalisht në 24 vende të BE-së. Ne do heqim aspektin penal për gazetarët.
E di që nuk do na vihet te meritat që kemi në raport me lirinë, por kjo nuk ka rëndësi”, deklaroi Rama.
Rama përfundoi duke theksuar se qeveria shqiptare synon të ndërtojë një kulturë transparente dhe llogaridhënëse, që jo vetëm rrit besimin e qytetarëve, por forcon gjithashtu pozicionin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/