Rama: Investimet në trashëgimi dhe urbanistikë rritën ekonominë dhe turizmin në Berat

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot gjatë një aktiviteti të Asamblesë së PS-së në Berat se investimet në trashëgimi kulturore dhe zhvillimi urban kanë sjellë zhvillim të dukshëm ekonomik dhe rritje të turizmit.
Duke folur për transformimet në qytetin muze, Rama u shpreh se Berati, para ndërhyrjeve të “Rilindjes Urbane”, ishte një pasuri e mbuluar nga pluhuri dhe i mungonte potenciali i tij i plotë ekonomik.
“Trashëgimia e bukur që deri kur ne morëm detyrën dhe lançuam Rilindjen Urbane ishte një pasuri e mbuluar me pluhur, e bënte Beratin të dukej si një minierë mbi tokë që rrezatonte vetëm trishtim dhe dëshirë për t’u larguar”, tha Rama.
Sipas tij, investimet nuk janë thjesht ndërhyrje estetike, por politika zhvillimi që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë dhe turizmin.
“Ne nuk u morëm me fasada, por me atë që merret çdo shtet dhe çdo qeveri që është e vetëdijshme për vlerën ekonomike të së bukurës dhe trashëgimisë kulturore”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se zhvillimi ekonomik ka sjellë edhe rritje të pagave në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe sektorin privat, duke shtuar se investimet në Berat kanë krijuar mundësi të reja për banorët dhe investitorët.
“Ne e nxorëm Beratin nga errësira, i hoqëm pluhurat, i motivuam njerëzit që të investojnë në shtëpitë e tyre dhe ata që kthehen në Berat kanë një shtëpi që mund ta kthejnë në një instrument fitimi falë turizmit. Berati është rritur në mënyrë eksponenciale dhe ka një tokë që mund ta kthejnë në një instrument fitimi falë punës me të”, deklaroi Rama.
Rama vuri në dukje se për investimet deri në 140 mijë euro aplikohet një lehtësi fiskale pa taksë, masë që, siç u shpreh ai, nuk gjendet në shumë vende të tjera dhe synon nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.
“Pagat janë rritur në të gjithë sektorët. Edhe në sektorin privat, kush kthehet në Berat për të investuar deri në 140 mijë euro paguan zero taksë. Nuk gjendet askund”n tha Rama.
Rama theksoi se pagesa e taksave në këtë rast është më e ulët se ajo që paguajnë qytetarët që punojnë jashtë vendit për një punëdhënës tjetër.
/a.f/