E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jam për historinë e jo për pasurinë, synoj për Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade

TIRANË, 27 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gjatë 28 viteve e katër muajve në shërbimin publik ka bërë gabime, por mohoi që paratë, pronat apo përfitimet e paligjshme të kenë ndikuar në vendimet e tij.

Në konferencën për shtyp në ambientet e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama tha se nuk e konsideron veten të pagabueshëm, por theksoi se nuk ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga detyra publike.

“E them prapë dhe prapë sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia, edhe në 28 vite dhe katër muaj të shërbimit tim publik, kam bërë madje shumë më tepër gabime sa ato jo pak që unë ia di vetes. Por, kurrë, asnjëherë, paraja, prona apo favoret e çfarëdo lloj kundërligjshmërie, nuk e kanë përkulur dot vullnetin tim”, deklaroi Rama.

Ai u ndal edhe te dhuratat që u bëhen kryeministrave gjatë ushtrimit të detyrës, duke thënë se në Kryeministri ekziston një muze ku ruhen dhuratat e marra ndër vite.

“Sot, në Kryeministrinë e Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri. Në atë muze ka thuajse një duzinë orësh të shtrenjta dhe super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua personalisht, jo nga kriminelë, por nga miq të fuqishëm apo vizitorë shumë të nderuar”, tha ai.

Rama theksoi se dhuratat e marra në cilësinë e kryeministrit nuk konsiderohen pasuri personale, por regjistrohen si pronë e shtetit shqiptar.

“Çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë mund të kem si kryeministër nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time”, u shpreh Kryeministri.

Duke iu referuar edhe mënyrës së përdorimit të mjeteve gjatë ushtrimit të funksionit, Rama tha se makina që përdor privatisht merret me qira nga partia dhe nuk është mjet i Kryeministrisë.

Në vijim, Kryeministri artikuloi qëndrimin e tij për raportin mes pushtetit dhe pasurisë, duke deklaruar se objektivi i tij në politikë nuk ka qenë përfitimi personal.

“Në këtë rrugë unë jam për të dhënë, jo për të marrë; Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin; Jam për të bërë histori, jo për të vënë pasuri; Jam për të transformuar Shqipërinë, jo për të formuar edhe veten”, deklaroi Rama.

Ai tha se synon që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, duke e lidhur këtë objektiv me shtetin ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë.

“E dua Bashkimin Europian brenda kësaj dekade me shtet ligjor dhe me drejtësi të pavarur prej nesh dhe prej çdo qeverie dhe kryeministri”, tha Rama.

Duke folur për debatin politik rreth hetimeve për korrupsionin, Rama deklaroi se hetimet duhet të zhvillohen dhe se ai nuk e sheh këtë si një çështje që mund të zgjidhet përmes deklaratave politike apo presionit publik.

/r.e/a f/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›