E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Jemi vlerësuar lider rajonal në politikat kundër korrupsionit

TIRANË, 21 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot inkurajues raportin e GRECO-s për luftën kundër korrupsionit, ndërsa solli në vëmendje progresin që ka bërë vendi, i evidentuar edhe në raporte të organizatave të tjera ndërkombëtare.

Gjatë prezantimit të raportit të GRECO-s, Rama tha se “në njëfarë mënyre është një tjetër kala e marrë duke pasur parasysh se kur kemi nisur këtë rrugëtim nga të katër anët raportet ishin tejet problematike”.

“Ky raport vjen pas atij të SIGMA-s pak kohë më parë, i cili realisht na dha shumë energji pozitive dhe shumë arsye për t’u ndjerë edhe më të motivuar duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për integritetin me prokurimet publike me një diferencë domethënëse nga vendi i dytë për menaxhimin e financimeve publike dhe administrimin e burimeve njerëzore”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se para se raporti i SIGMA–s të bëhej publik, një tjetër raport shumë domethënës na dha energji dhe inkurajim të madh.

Rama kujtoi se raporti i Bertelsmann Transformation Index (BTI), një ndër indekset më të respektuar prestigjiozë botërisht, vlerësonte shprehimisht se nga vendi më i korruptuar në Europë në vitin 2012 Shqipëria sot renditet si një nga 8 shtetet me progresin më substancial të dekadës së fundit.

“Sipas këtij indeksi Shqipëria ka performuar më mirë në të gjithë treguesit krahasuar me të gjitha matjet e bëra më parë. Veçanërisht i rëndësishëm është përmirësimi i shpejtë në cilësinë e qeverisjes duke e renditur në tre vendet me përmirësimin më të madh të qeverisjes”, tha Rama.

Po ashtu, Rama solli në vëmendje edhe raportin e “Transparency International” për vitin 2024, të cilin e cilësoi një reflektim kuptimplotë të gjithë progresit të bërë, ku Shqipëria u ngjit 18 vende në renditjen globale.

Ndërsa raporti i OECD-së, sipas Kryeministrit, e konsideron Shqipërinë lider rajonal në politikat kundër korrupsionit me rezultatin më të lartë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për përmasën e politikave antikorrupsion duke tejkaluar ndjeshëm rajonin në fushat e parandalimit të korrupsionit si dhe hetimeve dhe ndjekjeve penale.

“Përpjekjet për të parandaluar e luftuar korrupsionin janë forcuar, sipas raportit, falë kuadrit ligjor dhe institucional”, shtoi Rama.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›