E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Ka nisur rilindja e shkollës “Sevasti Qiriazi”, kushte dinjitoze për mbi 700 nxënës e mësues

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi” në Korçë po i nënshtrohet një transformimi të thellë që do të ndikojë në mënyrë thelbësore në përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga punimet që po kryhen për ndërtimin e shkollës. Sipas kreut të qeverisë shkolla e re do të garantojë kushte dinjitoze për mbi 700 nxënës dhe mësues, me klasa të reja, laboratorë modernë, bibliotekë e terrene sportive.

“Ka nisur rilindja e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi” në Korçë. Me një investim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Korçës, shkolla e re do të garantojë kushte dinjitoze për mbi 700 nxënës dhe mësues, me klasa të reja, laboratorë modernë, bibliotekë e terrene sportive”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se “me buxhetin 2025 përfundojmë investimet në 40 shkolla në të gjithë vendin”.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›