Rama: Kongresi Botëror i Ligjit, trofe i Shqipërisë falë reformës në drejtësi

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, “Kongresi Botëror i Ligjit është ndër të tjera edhe një trofe i Shqipërisë në formën e konsideratës së lartë që ka krijuar vendi ynë, falë reformës në drejtësi”.
Në rubrikën, “ǒkemi ndonjë të re?”, Rama tha se, “procesi i përzgjedhjes ka qenë i ngushtë dhe konkurrues. Shqipëria ka marrë pjesë me kandidatë të fortë dhe historikisht demokratikë nga kontinentet e ndryshme. Kështu shkruhet në letrën e presidentit të Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades, profesor i të Drejtës Kushtetuese dhe avokat me prestigj të madh”.
“Duke zgjedhur Shqipërinë si vendin pritës të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, komuniteti ndërkombëtar i ligjit dëshiron të njohë demokracinë e saj të re dhe institucionet e themeluara mbi sundimin e ligjit si garanci për dinjitetin njerëzor dhe zhvillimin për qytetarët e saj, vazhdon ai”, theksoi kryeministri Rama, duke cituar Javier Cremades.
“Kongresi do të jetë një mundësi e shkëlqyer për vendin tuaj për t’i paraqitur botës përparimet e mëdha drejt një demokracie të fortë, respektin ndaj ligjit ndërkombëtar dhe respektin ndaj sundimit të ligjit”, vijoi Rama, duke cituar letrën e Cremades.
“E pra, për pak ne nisemi në Madrid për njoftimin publik të përzgjedhjes së kandidaturës së Shqipërisë për të mikpritur Kongresin Botëror të Ligjit”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi se, “gjatë këtyre kongreseve çdo dy vjet prezantohet edhe një çmim, çmimi i Paqes dhe i Lirisë Botërore, i cili konsiderohet nga shumë si çmimi Nobel në ligj. Nga figura të rëndësishme botërore ndër të tjera, ky çmim është marrë nga Winston Churchill, Nelson Mandela apo edhe mbreti Felipe VI i Spanjës, i cili na ka ftuar edhe në një audiencë të veçantë”.
Pra shtoi kreu i qeverisë, “Shqipëria 2027 do të jetë vendi i Samitit të NATO-s, i Evropianit të futbollit për të rinjtë dhe tani edhe i Kongresit Botëror të Ligjit. ǒtë them? Kush i imagjinonte këto dhe të tjera plot akoma deri disa vite më parë, le të ngrejë dorën. Po lum si ne thuaj, që kemi këta kuak-kuak-kuakët, se do të na kishin marrë mësysh kushedi se sa herë”.
“Kongresi Botëror i Ligjit është ndër të tjera edhe një trofe i Shqipërisë në formën e konsideratës së lartë që ka krijuar vendi ynë falë reformës në drejtësi”, përfundoi Rama.
/r.e/a.f/