E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Lajm i mirë hapja e grup-kapitullit të fundit të negociatave me BE më 17 nëntor

TIRANË, 16 nëntor/ASTSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi një lajm të mirë hapjen e grup-kapitullit të fundit të negociatave me Bashkimin Europian më 17 nëntor.

“Një moment absolutisht i shumëpritur, por edhe historik në kuptimin që me këtë grupkapitull hapen përfundimisht të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh, një shpejtësi unike në procesin e të gjitha integrimeve të mëparshme europiane”, nënvizoi sot Rama në rubrikën “Shënimet e javës” në podkastin “Flasim”.

Kreu i qeverisë u shpreh se asgjë nuk na ndal dhe kemi kapërcyer të gjitha pengesat që kishin të bënin me çeljen e të gjithë kapitullit.

“Tani duhet të kapërcejmë të gjithë pengesat që kanë të bëjnë me mbylljen e kapitujve”, tha Rama.

Por ndërkohë, shtoi Rama, ekonomia rritet, pensionet dhe pagat rriten investimet vendase e të huaja shtohen, mbështeteja për më të dobtit dhe pacientët me sëmundje të rënda zgjerohet.

Rama tha se “asnjë taksë nuk parashikohet të rritet dhe puna e institucioneve përmirësohet hap pas hapi”.

Nesër, 17 nëntor 2025, Shqipëria do të hapë bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në grup-kapitullin (Claster) 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”, ku do të zhvillohet edhe konferenca e radhës ndërqeveritare me BE-në.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›