Rama: Magjia e dimrit në malin e Gramozit

TIRANE, 28 dhjetor/ATSH/ Gramozi është ndër malet më të lartë dhe me panorama tërheqëse në të gjitha stinët, në zonën e Kolonjës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të dashamirësve të natyrës dhe sporteve dimërore duke u ngjitur drejt majës së Gramozit, tashmë të mbuluar nga dëbora.
“Magjia e dimrit në malin e Gramozit”, shkroi Rama krahas pamjeve.
Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre, në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është magnet për alpinistët.
Ngjitjet kryhen me udhërrëfyes që përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.