Rama: Mandati i katërt kthesë strategjike për PS-në, kapitulli i ri i pranisë njerëzore

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se për Partinë Socialiste mandati i katërt duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, duke kaluar nga kapitulli i sotëm i pranisë elektorale, te kapitulli i ri i pranisë njerëzore.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, prezantoi një tjetër dokument “Prania Besnike”, aneksi i dokumentit “Besa” të prezantuar më herët, Rama tha se “mandati i katërt nuk mund, nuk duhet dhe ne duhet të bëjmë çmos që të mos jetë zgjatimi aritmetik i tre mandateve të mëparshme”.
“Mandati i katërt duhet të jetë kapitulli një kthese të madhe jo vetëm për faktin historik që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, as vetëm për faktin se prodhimi ynë i brendshëm do kapërcejë mbi kufirin e 30 miliardë eurove në vit, që përbën një kthesë për ekonominë, por dhe sepse ky për Partinë Socialiste duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve”, deklaroi Rama.
Sipas tij, kjo kthesë nevojitet për të kaluar nga kapitulli i deri sotëm i pranisë elektorale tek kapitulli i ri i pranisë njerëzore, nga partia që shkon te njerëzit kur kërkon votën e tyre duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.
“Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje kur e sjell nevoja jonë, te detyrimi ynë për të qenë atje kur ata kanë nevojë të dëgjohen. Nga halli i qytetarit që shënohet dhe rëndom mbetet pa përgjigje, te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin, deri tek vajtja e përgjigjes. Nga qytetari që kërkon të hapë një derë në rrugën e vet të jetës, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën pa kërkuar votën pse hap derën, nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve te fuqia e besimit qytetar që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “po të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptoj t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’iu hapësh rrugën të rinjve”.
“Nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, të hapësh procesin qeverisës për njerëz të rinj jo thjesht në moshë, por në mendësi”, nënvizoi Kryeministri.
Rama vuri në dukje se “dua ta ngjisim Shqipërinë në BE, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë, institucione që funksionojnë njësoj për të gjithë, t’i japim jetë një marrëdhënieje mes qytetarit dhe qeverisë, të guxojmë me kurajë zhvillime të reja në këtë epokë të re, të ecim me ide të qarta deri kur populli të flasë ndryshe me votën e tij”.
“Detyra jonë nuk është t‘u provojmë që s’jemi të lidhur pas pushtetit, por të mos lidhemi pas pushtetit. Partitë ndryshken kur pushojnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë. Ne mund ta çojmë me sukses këtë mandat deri në fund dhe të kërkojmë të tjera mandate nëse do të dëgjojmë atë që nuk na votoi, të qajmë edhe hallin që nuk arrijmë të zgjidhim. Nëse ‘Prania Besnike’ mbetet ndryshim i vërtetë i marrëdhënies sonë me njerëzit ne mund të vazhdojmë të bëjmë histori. Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin duke harruar për çfarë ta dhanë”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se “pas gjithë asaj përpjekjeje dhe pune kolosale, dhe tamam kur dera e Europës është hapur realisht, mandati i katërt ishte jo vetëm vazhdimi më i natyrshëm, por edhe e vetmja zgjedhje logjike”.
Kryeministri Rama theksoi se deri në përfundim të mandatit të katërt, qeveria dhe Partia Socialiste do të angazhohen maksimalisht për t’i shërbyer vendit.
“Deri në ditën e fundit të këtij mandati të katërt, bashkë me ju, do të bëjmë të pamundurën që jo vetëm unë apo ju, por e gjithë partia jonë të nxjerrë gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/