E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Marrim 77 deputetë. Pas bashkimit me LSI, të dy partitë kanë shtuar elektoratin

top-story2305-2(E PERDITESUAR)- Bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka blinduar fitoren e së majtës.

Kryetari i opozitës, Edi Rama, duke folur për Top Story, u shpreh mëse i bindur në rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Rama tha se fitimi i 80 mandateve të nuk është utopi, ndërkohë që u shpreh i sigurt se e majta e bashkuar do ketë 77 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Kryetari i Partisë Socialiste është ndalur dhe një herë në aleancën e realizuar më 1 prill.

Rama tha se shokimi që krijoi fillimisht kjo marrëveshje i ka lënë vendin rezultateve të fitores elektorale.

Sondazhet tona të brendshme tregojnë një tendencë rritje të elektoratit të opozitës. Kjo përkon pas bashkimit të PS-së me LSI-në. Pas kësaj marrëveshje, nuk shtrohet më pyetja e kudobërë e kudohasur si do ti ruajmë votat tona? Bashkimi me LSI-në ka shtuar energjinë në fushatën e së majtës, deklaroi Rama.

Bashkimi me LSI-në ka prodhuar një energji të shtuar në të gjithë këtë proces. Sigurisht që ju keni këndvështrimin tuaj, për në timin unë besoj se ne diktojmë ritmin e fushatës dhe tanimë prej kohe, jo thjesht nga bashkimi me LSI, axhendën e temën e ditës e mbi të gjitha pa asnjë dyshim, besoj që kemi me vete një frymë ndryshimi që po vjen duke u intensifikuar. Ne se kemi pasur problem ndonjëherë mbushjen e sallës, si një forcë e rëndësishme politike që jemi, por ju siguroj që entuziasmi si sot, që shoqëroi të gjithë takimin, nuk e kam parë më parë, pra është një frymë që po ndihet. Lidhur me përceptimin tuaj, ne nuk bazohemi në sondazhet telefonikë, por në fokus grupe që japin rezultate të vërteta sondazhesh dhe nga fokus-grupet kemi marrë mesazhin shumë të qartë që bashkimi jo vetëm duhej bërë, por do të zgjeronte mbështetjen për opozitën dhe kjo po provohet, ndonëse ishte diçka e pamatshme që nuk dukej në sondazhe, tha Rama.

Po kështu lideri socialist tregoi se ideja për bashkimin e së majtës është ngjizur gjatë negociatave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Rama tha se ishte domosdoshmëri krijimi i kësaj aleance, që sipas tij nuk është e kushtëzuar nga pazare mandatesh apo zgjedhje postesh ministrore, por është një vendimmarrje për të parë më larg se kaq, e kjo është beteja kundër Sali Berishës.

Edi Rama ka folur dhe për mënyrën sesi do të qeverisë vendin me ardhjen e së majtës në pushtet.

Duke e konsideruar LSI-në si një forcë politike që do të shërbejë, qoftë edhe për të kontrolluar pushtetin, Rama tha se nuk ka dashur të fitojë i vetëm pushtetin e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Rama tha se do të jetë kryeministër pa menduar për mandatin e dytë të qeverisjes së tij.

Qeveria e Edi Ramës do të jetë ajo e reformave dhe operacioneve radikale, thuajse në të gjitha fushat e jetës.

Unë nuk dua të bëhem kryeministër për të marrë me çdo kusht  karrigen e kryeministrit edhe pas katër viteve të ardhshme. Dua të jem kryeministër që do të kryejë detyrën pa menduar për mandatin e ardhshëm e për të kryer reforma dhe operacione radikale që do të shpëtojnë një herë e mirë këtë vend, tha Rama.

Po kështu, kreu i opozitës tha se qeveria e drejtuar prej tij do të jetë transparente.

Gjetja e dokumenteve zyrtare, nuk do të jetë më një punë heroike, pasi publikimi i fondeve të projekteve për çdo ministri, deri tek biletat e avionëve të ministrave që udhëtojnë për arsye pune, do të jetë normalitet në qeverinë e së majtës. Rama është shprehur i prerë sa i përket mandateve të deputetëve dhe ministrave.

Asnjë ministër deputet nuk do të ketë në qeverinë e Edi Ramës./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›