E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Momenti më i vështirë i jetës sime, beteja me sëmundjen e djalit

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama rrëfeu se një nga momentet më të vështira të jetës së tij, ka qenë beteja me sëmundjen që preku Gregorin, djalin e tij.

Në në një intervistë në emisionin “Opinion”, Rama tha se ai moment përkonte dhe me betejën për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste.

“Momenti më i vështirë ka qenë momenti ku duhej të bëja luftën për të marrë drejtimin e PS dhe njëkohësisht duhej të ndiqja në distancë me shumë tension ecurinë e sëmundjes së djalit tim. Ishin të dyja bashkë në të njëjtën kohë dhe ishte shumë sfidë e madhe që nga një anë duhej të isha energjik, i qeshur, guximtar, i fortë, i vendosur për të marrë lidershipin e PS”, tha Rama.

Sipas tij, njerëzit që e rrethonin ishin vendimtarë për të kaluar momentin e vështirë dhe për të vijuar karrierën politike.

“Kanë qenë vendimtarë njerëzit, duke filluar nga ai vetë (Gregori), ishte i vogël, por ishte shumë i vendosur në atë luftë. Pastaj edhe ime më, Linda, të gjithë. Ishte një gjë shumë e kombinuar”, tha Rama.

Gjithashtu, Rama rrëfeu se momenti kur Linda pranoi të ishte bashkëshortja e tij, është një prej më të rëndësishmëve të jetës së tij, publike dhe asaj private.

Rama tha, se Linda është aty për të qenë plotësuese dhe për të vendosur gjithmonë me ekuilibër qenien e përbashkët që është burrë dhe grua.

“Më ka dhënë qetësi, më ka dhënë mundësinë që ta shoh veten vazhdimisht nga një këndvështrim tjetër. Më ka vendosur vazhdimisht përballë sfidës së të argumentuarit të gjërave në një mënyrë krejt ndryshe nga sa isha mësuar”, tha Rama.

Rama u ndal edhe në momentin e martesës, duke e cilësuar atë si më mbresëlënësin.

“Më mbresëlënësi është që unë u bëra burrë i martuar 24 karat. Nuk ishte hera e parë që martohesha, por ishte hera e parë që martohesha me dasëm, me miq, me shokë, me familje, me njerëz. Ishte mbresëlënëse ta shihja veten në atë pozicion pasi kisha ndërtuar një filozofi të tërë që nuk dua as martesë, as shtëpi. Se unë asnjëherë nuk kam pasur në periudhën më pas, asnjëherë shtëpinë time. Mjafton një shtëpi me qira, se shtëpia ime jam vetë. Këto të dyja më ranë në tokë si kolona filozofike”, pohoi Rama.

(Intervistë datë 4 dhjetor 2025)

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›