Rama: Ndryshimet në procedurën penale nuk prekin asnjë shtyllë të reformës në drejtësi

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, tha sot se një nga ndryshimet kryesore të paketës së re për Kodin e Procedurës Penale lidhet me pasojat konkrete për shkeljen e të drejtave procedurale.
Gjatë prezantimit të draftit, Rama tha se risia e kësaj pakete nuk është vetëm vendosja e një ekuilibri më të arsyeshëm mes akuzës dhe të drejtave të individit, por edhe garantimi që shkelja e këtyre të drejtave të ketë pasoja juridike.
Sipas tij, provat e marra në shkelje të ligjit nuk do të mund të përdoren, ndërsa aktet e kryera duke cenuar garancitë procedurale do të humbasin vlerën juridike.
“Krahas pavlefshmërisë absolute dhe relative krijohet një regjim i ndërmjetëm për shkeljet serioze të së drejtës për t’u dëgjuar, për të ndërhyrë dhe për të paraqitur prova. Dhe përgjegjësia nuk mund të mbetet më pa emër. Gjyqtari që kufizon lirinë pa arsyetim të vetin, prokurori ose oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistrojnë marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me flagrancën ose urgjencën duhet të përgjigjen personalisht. Shkelja mbetet shkelje, edhe nëse në fund personi dënohet”, tha Rama.
Rama tha se paketa nuk prek shtyllat e reformës në drejtësi dhe nuk i heq prokurorisë kompetencat për përgjime, kontrolle, sekuestrime, hetime pasurore apo bashkëpunim ndërkombëtar. Sipas kryeministrit, ndryshimi qëndron te mënyra e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe te forcimi i kontrollit gjyqësor mbi to.
“Dhe në fund fare duhet të jemi shumë të qartë për atë që kjo paketë nuk bën, sepse zëra se po e dëgjoj zhurmën që do të nisë, përpara sesa shumë kush ta lexojë tekstin, dhe sidomos nga ata që as nuk do ta lexojnë ndonjëherë tekstin. Kjo paketë nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Ajo ndryshon mënyrën se si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to”, tha Rama.
Për çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafikun, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet në kompetencë të gjykatës së posaçme, Rama tha se do të vijojnë të zbatohen regjime të posaçme.
“Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e gjykatës së posaçme, ruhen regjime të posaçme. Kjo është një zgjedhje vetëdijshme, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet të zbutet asesi”, tha Rama.
/m.q/j.p/