E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ne jemi të vendosur, kërkesa jonë nuk ka lidhje me luftën për pushtet Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu sot “përbuzje për ata drejtues policie që dje e bën pis uniformën e shenjtë të policisë së shtetit duke ndërhyrë dhe duke krijuar situata krejt të panevojshme në kushtet e një manifestimi simbolik të rezistencës paqësore”. Në një deklaratë për mediat, pas vizitës së grevistëve të shtruar në spital, kryesocialisti tha se prova është se aty ku të tjerë kolegë të tyre nuk bënë të njëjtën gjë, por respektuan protestën dhe protestuesit, gjithçka shkoi normalisht dhe as rrugët nuk e bllokuan gjatë për qytetarët. Ai tha se “këto janë shfaqje të shëmtuara të një pushteti i cili ka humbur toruan dhe ka humbur njëkohësisht largpamësinë që nuk e ka pasur kurrë, sepse e ka humbur qysh ditën që ka grabitur votat”. “Dua ta nënvizoj shumë fort sot, që ne jemi të vendosur, që ne jemi të bindur, që ne jemi të palëkundur, sepse kërkesa jonë nuk ka të bëjë me interesin politik të një pale, në dëm të interesit politik të një pale tjetër dhe nuk ka lidhje me asnjë formë dhe në asnjë mënyrë me luftën për pushtet, por ka lidhje thjesht dhe vetëm me interesin publik, me interesin e të gjithë shqiptarëve për tu çliruar nga një sistem i mbyllur, jo transparent, i korruptuar dhe korruptim që nuk i lë shqiptarët të qeverisen nga ata që zgjedhin dhe që i detyron të sundohen nga ata që nuk i lenë të zgjedhin”, përfundoi komunikimin e tij me mediat, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›