Rama: Në shtator nis një aksion i gjerë ndaj ndërtimeve abuzive në bregdet. Jemi në emergjencë kombëtare
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka premtuar se në shtator do të nisë një aksion i gjerë dhe i thellë ndaj ndërtimeve pa leje në bregdet.
Rama i ka quajtur ndërtime abuzive, ndaj nuk dihet nëse aksioni do të përfshijë edhe ato ndërtime me leje, por që nuk plotësojnë kriteret dhe lejen e kanë marrë në mënyrë abuzive.
Rama tha se vendi është në emergjencë kombëtare në këtë drejtim.
Ndërtimet abuzive në bregdet janë një kancer agresiv në veprim! Duhet një operacion i gjerë e i thellë. Policia e Shtetit në krye!
Operacioni do jetë gati në shtator e s’do ndalet deri në vendosjen e sundimit të ligjit mbi territorin. Jemi në emergjencë kombëtare! shkruan Rama në Twitter, duke ftuar qytetarët për mbështetje në këtë aksion.
Ju lutem çdo mbështetje për këtë operacion ose ankesë konkrete për abuzues në veprim aty ku banoni apo pushoni shoqërojeni me Stop Rrënimit, shkruan Rama, duke ftuar qytetarët për denoncim në rrjetin social Twitter.
Pak javë më parë, në një takim me kryetarët e bashkive dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare, Rama theksoi se: Çdo karabina e ndërtuar deri tani duhet shembur. Ata që kanë cenuar detin, duhet ti çohen prokurorisë. Çdo gjë e ndërtuar pa leje që cenon perspektivën e zonës bregdetare, duhet rrafshuar. Në aspektin afatgjatë, duhet një ndërhyrje në ligj qoftë në mënyrën si do menaxhohen hapësirat publike, qoftë si do garantohet që cikli i ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur./A.XH