Rama: Negociata që shteti të jetë bashkëaksioner në projektin e Sazanit, ndër më të bukurit në Mesdhe

TIRANË, 13 prill /ATSH- Arbi Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë një bashkëbisedim me operatorët turistikë mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Kryeministri Rama tha se shteti shqiptar është në negociata me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, lidhur me investimin në ishullin e Sazanit. Sipas tij, ky investim tregon se Shqipëria është një vend shumë i sigurt dhe do të ndikojë ndjeshëm në tregun global të turizmit. Ai u bëri thirrje operatorëve turistikë të përmirësojnë shërbimin dhe ofertën e tyre, në mënyrë që të jenë gati për zhvillimet që do të sjellë ky investim.
“Është përhapur gjithandej dhe mediat e huaja kanë shkruar se qeveria ia ka shitur ishullin e Sazanit familjes Trump, por kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim Sazanin, pasi është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë. Edhe sot nuk e kemi mbyllur negociatën për Sazanin, por jemi në negociata. Shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin, dhe në këtë projekt shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti.
Nuk bëhet fjalë për një resort të mbyllur, si disa resorte që funksionojnë me akses të kufizuar ku hyjnë vetëm banuesit dhe të ftuarit. Projekti nuk do të jetë i izoluar dhe nuk do të krijohet një hapësirë e mbyllur apo e privilegjuar. Ai ka ndryshuar gjatë procesit dhe parashikon shumë pak ndërtime, me një profil kulturor dhe artistik të rëndësishëm.
Besoj se do të jetë një nga projektet më të bukura në Mesdhe. Së bashku me zonën përballë Sazanit, ku po zhvillohet një investim privat me përfshirjen e disa prej arkitektëve më të njohur në botë, kjo do të sjellë rritje të ndjeshme të vlerës së investimeve në të gjithë zonën.
Ata që e shohin ngushtë këtë zhvillim nuk arrijnë të kuptojnë ndikimin e tij më të gjerë. Do të rritet vlera e pronave dhe e investimeve të reja në Vlorë. Njerëzit do të dëshirojnë të jenë pranë këtij zhvillimi dhe të bëhen pjesë e tij.
Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që operatorët turistikë të Vlorës të kenë një qasje strategjike për të ardhmen e investimeve të tyre. Në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, ndryshimi do të jetë më i madh se ai i dekadës së kaluar, edhe si rezultat i këtij investimi.
Momenti që do të nisi zhurma për investimin, ju do e shihni çdo të ndodhi. Në momentin që tregu global i turizmit do të marri mesazh sen do të nisin investimet, dhe janë bashkuar dhe me Katarin, atëherë tregu do të thotë qënka vend super i siguritë për të investuar”, u shpreh Rama.