Rama: Nëse preket KQZ, zgjedhjet do të kontestohen pa u mbajtur
Lideri i opozitës rrëfen në Top Story bashkimin me Metën
Sokol Balla
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka paralajmëruar Kryeministrin Sali Berisha se nëse do të prekë KQZ-në, ai do të jetë përgjegjësi direkt për dështimin e zgjedhjeve, të cilat do të kontestohen edhe nga ndërkombëtarët, që para se ato të mbahen. Në një intervistë në emisionin Top Story në Top Channel, Rama rrëfeu edhe historinë e ribashkimit me Ilir Metën…
Zhvillimet e fundit në KQZ, mund të konsiderohen prej jush si një argument më shumë për të treguar një tentativë të pushtetit për të kontrolluar zgjedhjet?
Ne nuk kemi nevojë për argumente plus. Jo vetëm që PS me LSI duhet të bashkoheshin, por bashkimi është një hap i natyrshëm për ti dhënë fund një anomalie në sistemin politik shqiptar, pasi gjithë ajo që ka ndodhur me KQZ është një shprehje brutale e së vërtetës që zgjedhjet janë të kërcënuara dhe që kërcënimi vjen nga i njëjti person dhe e njëjta parti. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të kapërcyer të shkuarën të gjithë së bashku dhe që më 23 qershor të ndryshojmë fytyrën e këtij vendi. Jo më larg se dje, Banka e Shqipërisë thotë se në vitin e shkuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti, kemi një rënie dramatike të pagës reale të shqiptarëve dhe Banka thotë se paga reale ka rënë 9,4% me vitin e kaluar. E çfarë do të thotë kjo? Që ka rënë fuqia blerëse e shqiptarëve, ajo që kemi thënë gjithmonë për një propagandë të shfrenuar të rritjes së pagave, që nuk është shoqëruar me rritje të fuqisë blerëse.
Në fjalën e tij, guvernatori Fullani tha se një mundësi përmirësimi ishte falja e kredive të këqija të 1990-s për biznesin dhe individët. Si e gjykoni këtë propozim?
Ne jemi shumë të përqendruar te nevoja për ti lënë stabilitet sistemit tonë financiar, është një stabilitet në prag të një kërcënimi të madh dhe me këtë duhet bashkërendim i të gjitha forcave, duhet konsensus, sepse ekonomia shqiptare sot po mbërrin aty ku kemi thënë që 2009-n, në krizë.
Nisma për ndryshimin e anëtarit të LSI-së në KQZ erdhi 24 orë pasi kjo forcë mbështeti në këshillin bashkiak, Lulzim Bashën. Mendoni nëse duhet të ketë më dilema Meta për pushtetin lokal?
Nuk besoj se ka dilema të tilla. Është një proces i shpejtë tranzicioni, që ka të bëjë me struktura që duhen ridizajnuar në bazën e shumicave të reja që tani janë edhe në nivel vendor e shumë shpejt këto shumica do të veprojnë për të vendosur vullnetin sovran në funksion të një vendimmarrje që sdo të jetë asnjë rast penguese, por vijimësisht në funksion të vullnetit të qytetarëve.
Ka pasur debate përse LSI nuk ka ende një vendim politik për pushtetin lokal. Vendimi që ju thoni është edhe qëndrimi zyrtar i LSI-së?
Nuk po flas për një vendim, por për një funksionim të natyrshëm. Këtu nuk ka pjesë marrëveshjeje, pasi ky është funksionimi i natyrshëm i një shumice që përfaqëson tashmë shumicën e shqiptarëve. Sot ka pasur një deklaratë, si asnjëherë tjetër të shkoqur, të thënë troç nga Brukseli, në lidhje me atë që ndodh me KQZ-në, që do të thotë se edhe bashkësia ndërkombëtare e ka sosur durimin. Anëtari i KQZ mund të hiqet vetëm kur kryen një vepër penale apo vdes. Askush nuk ka vdekur, ai që ka vdekur është vetëm pushteti i Saliut.
Votimi për anëtarin e KQZ është shtyrë për të hënën. U tha që PD nuk ka votat e mjaftueshme, me gjithë deputetët e PS-së që i janë bashkangjitur. A do të tentoni gjetjen e një kompromisi?
Nuk ka kompromis për marrëveshjen që është sanksionuar mbi shumicën e cilësuar. Kthehemi pastaj te tre ligjet dhe sot është shembulli më i ri që problemi nuk është te ligjet që kemi, por si zbatohen. Drejtohemi nga një personazh që ligjin e konsideron si një letër pa vlerë, kur është në nevojë, për të arritur vlerë monetare apo politikë të shtuar.
Kjo marrëveshje me LSI-në thatë që garanton votën e shqiptarëve. Dikur akuzonit LSI-në se bashkëpunoi në vjedhjet e votave në Tiranë? Në këtë deklaratë doni të thoni që votat tani do tju vidhen më pak, sepse ai që ju ka vjedhur do të vjedhë me ju apo çfarë?
Jam shumë i vetëdijshëm që ka shumë pyetje që mund të ngrihen duke u bazuar në të shkuarën, por politika nuk është shkencë e së shkuarës, por një instrument për të zgjidhur problemet aktuale, duke parë nga e ardhmja. Ama vota jonë sot është shumë më e mbrojtur, pasi shumica që përfaqësojmë sot është e pakapërcyeshme nga vjedhjet, deformimet, nga makineria e vjedhjeve me shofer Sali Berishën.
Nëse PD e bën fakt të kryer zëvendësimin në KQZ, me një shumicë të thjeshtë, cilat do të jenë hapat që do të ndiqni? Një nga mundësitë është që LSI të kërkojë zëvendësimin e anëtarit të PBDNJ-së.
Më lejoni tju siguroj që edhe në këtë rast, siç e shikoni, logjika e këtij bashkimi nuk është ajo që dikur shkaktoi ndarjen apo ajo që në momente të caktuara, që nga viti i keq i ndarjes ka bërë të pamundur bashkëpunimin. Logjika e këtij bashkimi bazohet në projektin e përbashkët strategjik dhe për të shkuar përpara me vetëdijen që u detyrohemi shqiptarëve një transformim që e presin prej vitesh. Përgjigjja, ne nuk shkelim ligjin dhe dy gjëra duhet të dinë mirë njerëzit, të vetmuarin Sali nuk e shpëton dot nga disfata e 23 qershorit asgjë, sikur të marrë të gjithë KQZ dhe në vend të anëtarëve të vendosë shtatë shaljanë, sikur të bëjë gjithçka mund të përfytyrohet, nuk do të përmbysë dot vullnetin e shqiptarëve. Nëse kjo do të ndodhë, do të njollosë shumë keq Shqipërinë dhe zgjedhjet që përpara se ato të mbahen, do të njolloste Kryeministrin direkt, e procesi zgjedhor të jetë i kontenstuar ndërkombëtarisht që pa u mbajtur zgjedhjet.
Në një deklaratë të publikuar në këtë moment, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë shpreh mbështetjen e saj për shtyrjen e votimit për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së dhe kërkon një konsensus mes palëve. Duket se ka një përpjekje për të gjetur një bonsens dhe kjo do tju përfshijë edhe ju?
Ne nuk kemi asgjë për të lëshuar, pasi nuk kemi kapur asgjë. KQZ ishte në punë të vet, ne kemi vërejtjet tona, kritikat tona, por atë duhet ta lëshojë ai që e ka kapur dhe të jeni të sigurt që këto sinjale sot, janë të parat e një përshkallëzimi në rast se këtu nuk do të ndalet përpjekja për të përmbysur KQZ, duke përmbysur Kushtetutën, ligjin dhe duke kthyer KQZ-në nga një administratë në shërbim të qytetarëve, në një vegël për të çuar përpara projektin e dëshpërimit në verën e vetmisë së madhe.
Ti rikthehemi pak marrëveshjes. E di që ju do ta quani telenovelë rozë, por publiku dëshiron të dijë detajet. Ju thatë do të bëhet publike së shpejti e plotë.
Jemi duke punuar mbi një kartë parimesh, që do ta bëjmë publike në momentin e duhur, përpara se të shpallet përfundimisht gjithë fronti i koalicionit tonë, ku presim të bashkohen edhe të tjerë.
Sa zgjati takimi me Metën? Do të ketë qenë i vështirë, a ka një pikënisje në darkën e famshme?
Po, ka një pikënisje, një vendosje komunikimi që në atë kohë kishte atë funksion që unë kam thënë, por që sigurisht që hapi edhe rrugën e një komunikimi njerëzor, që është pjesë e patjetërsueshme e një procesi afrimi dhe bashkëpunimi, bashkimi mes përfaqësuesish politikë të ndarë për një arsye dhe nuk është rastësi e kotë, por është pjesë e teknikës së negocimit edhe mes forcash ekstremalisht të kundërvendosura që të krijojnë kushtet për komunikim njerëzor, siç kemi rastin për periudhën e përgatitjes së paqes së famshme Izrael-Palestinë.
Gjërat që kanë ndodhur në Shqipëri janë të paprecedenta, si raporti love and hate me Ilir Metën. A pati një personazh që ju pajtoi?
Ka pasur persona të afërt me njërën palë dh