E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nis “Prania Besnike” në të gjithë Shqipërinë, hyhet pa kamera dhe teserë partie

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Në të gjithë vendin ka nisur sot në orën 17:00, “Prania Besnike”, një proces takimesh që do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend.

Kjo nismë u bë publike ditën e djeshme nga Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në takimin me grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se çdo njësi administrative, si dhe zonat urbane brenda qyteteve më të mëdha, do të ketë “Praninë” e vet, një të premte në muaj.

Sipas Ramës, “Prania Besnike” do të funksionojë si një hapësirë neutrale, ku qytetarët do të mund të paraqesin individualisht problematikat, ankesat, kërkesat apo shqetësimet e tyre.

“Hyhet pa kamera dhe pa teserë partie”, shkruan Rama, duke theksuar se nisma nuk do të jetë një mbledhje politike, por një formë dëgjese individuale me qytetarët.

Gjatë këtyre takimeve, problematikat e ngritura nga qytetarët do të mbahen shënim dhe do t’u përcillen zyrtarisht institucioneve përkatëse përmes deputetit, me qëllim që qytetari të marrë një përgjigje për çështjen e paraqitur.

“Nuk premton zgjidhje, po zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon”, tha Rama.

“Prania Besnike të dëgjon dhe Besa të thotë më kontrollo”, thekson ai.

Më herët, Edi Rama deklaroi se “Prania Besnike” nuk duhet të shihet si një kalendar elektoral apo organizativ i partisë, por si pjesë e një sistemi që synon ta kthejë dëgjimin e qytetarit në kusht dhe përgjigjen ndaj problematikave të tij në detyrim.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›