E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Nuk do pranojmë deklarime pagash joreale, më shumë kohë të punojnë para daljes në pension

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryeministri Rama bëri një “skaner” të nivelit të pagave në vend, nga sektori publik në atë privat duke u shprehur se ka nëndeklarim në shumë sektorë.

“Nga pagat e rritura në sektorin publik ne marrim më shumë sigurime shoqërore. Pagat pasi ne bëmë një përpjekje që na rriti kontributorët në skemë nga 520 mijë në 810 mijë, ishin shumica në sektorin privat, kemi pasur edhe një rritje tjetër të kontributeve, atëherë që dolën pagat sheshit, tani kemi rritje të pagave reale dhe një fshehje nga ana e sektorëve të ndryshëm”, u shpreh Rama.

“Nuk ekziston në Shqipëri në ndërtim pagë 500-600-700 euro, nuk ka. Pagat në ndërtim janë mbi 800 euro, 900, 1500, sipas profilit. Kur sheh pasqyrat që deklarojnë 500-600 euro. Pse? Sepse ne kemi bërë që për pagat deri në 500 euro nuk ka tatim, por ka sigurime shoqërore patjetër. Këta ju japin 500 euro në bankë dhe i thonë na dhe 500 të tjera në dorë. Ja ku u vodh një pensionist, ndërkohë që ky tjetri që i merr këto i hap vetes gropën kur të dalë në pension”, vijoi Rama.

“E njëjta gjë ndodh me sektorin e turizmit. Pagat në turizëm janë paga si në Greqi, prandaj dhe këtë vit kemi parë fillim të një trendi kthimesh nga Greqia për të punuar në industrinë e turizmit këtu, sepse shtëpinë e kanë këtu, transporti më i kollajshëm dhe patjetër dhe taksat dhe qiraja nuk janë si në Greqi. Ne nuk do t’i pranojmë më deklarime të tilla dhe tani Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka çuar një njoftim tek të gjitha bizneset që të kenë parasysh që në deklarimin e pagave që bëhet në fund të vitit të mos vjedhin pensionistët, por të deklarojnë pagat reale. Nëse do na vijnë deklarime që nuk janë në përputhje me realitetin do kthehet mbrapsht dhe do ti themi nëse nuk e rishikon pasojat janë penale, jo civile dhe për ne është vjedhje e pensioneve”, tha Rama.

Kryeministri tha se të gjithë këto masa do të përkthehen në më shumë të ardhura në skemën e pensioneve.

“Ne besojmë që kjo do të na japi edhe më shumë të ardhura në skemë, kjo nuk do ta plotësojë, por sa më shumë të marrim mbi këtë 1.3-miliardshin, sepse e kemi hendekun 500 milionë, më mirë është”, tha Rama.

“Na është përforcuar bindja për dy gjëra: me rritjen e jetëgjatësisë duhet të shohim rritjen e kohës përpara daljes në pension. T’u japim kohë të punojnë më shumë atyre që mund të punojnë dhe sigurimet shoqërore nga puna t’i derdhin në funksion të pensionit të vet”, theksoi Rama.

“Tjetra është bonusi, pra çështje ditësh ne do t’ju njoftojmë se si do të ndryshojë bonusi i fundvitit. Dhe ndryshimi është fillimi i këtij procesi të të gjithë hapave të rishikimit. Me një perspektivë që pensionet të rriten dhe këtë do bëjmë”, u shpreh Rama.

“Kjo është si drejtësia, asnjë forcë tjetër këtu në këtë vend nuk mund ta bënte këtë që po bëhet me drejtësinë. Asnjë forcë tjetër nuk mund të bëjë asgjë pozitive për pensionet dhe pensionistët përveç kësaj force që quhet Partia Socialiste. Ata që nuk na mbështesin duhet ta dinë se për inatin tonë po flenë me Suden. Ti dëgjosh kur flasin, ti dëgjosh kur thonë se çfarë do bëjnë, nuk bëjnë sens, njësoj si Sudja. Inat le të na kenë ne, por hakun nuk duhet të na e mohojnë sepse i bien vetes, jo neve. Është një Sude me gjyzlyke që sjell ca pensionistë që dalin në protestë. Dhe vërtetë jam i keqardhur për ata pensionistë sepse dalin të nxitur nga Sudja. Dhe i besojnë kësaj Sudes. Një Sude me një maskë me gjyzlykë. Këto ishin këto ato që kisha unë”, tha Rama.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›