Rama: Nuk ka kapitull apo paragraf të lehtë në negociata, kemi bërë zgjedhje të qartë si komb

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “ne e kemi bërë një zgjedhje të qartë si komb që ne duam të martohemi me BE-në”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó dhe Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos, pas mbajtjes së Konferencës së Tretë ndërqeveritare, Rama tha se, “Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE-së përsa i përket diplomacisë dhe sigurisë”.
I pyetur se cili kapitull do të jetë më i vështirë për t’u hapur dhe për t’u mbyllur për Shqipërinë, Rama theksoi se, “së pari kam mësuar që nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE-në. Pra çdo gjë duhet të kalojë në një shqyrtim të hollësishëm me një bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet dialogut të përbashkët dhe mirëkuptimit”.
“Ne presim, siç e kam thënë që të hapim grup-kapituj, por në të njëjtën kohë nuk po e gënjejmë veten, sepse kjo ka për të qenë një punë e vështirë dhe ne duhet të përmirësojmë çdo hap. Dhe jo vetëm që të këmbëngulim në atë që themi por edhe të përmirësojmë atë që bëjmë”, shtoi Kryeministri.
“Prandaj e vlerësoj shumë këtë proces, sepse sikundër Komisionerja e tha shumë mirë ndihmon vendin që të rritet, të piqet, të transformohet dhe të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishëm se çdo gjë tjetër dhe kur i gjithë sistemi punon si një garantues për demokracinë dhe sundimin e ligjit, çdo gjë tjetër funksionon”, tha Rama.
“Për këtë grup-kapitull që kemi hapur sot nuk është fort i vështirë, sepse Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE-së për sa i përket diplomacisë, sigurisë. Edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash dhe ne e kemi bërë një zgjedhje të qartë si komb që ne duam të martohemi me BE-në. Të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës. Nuk ka kthim mbrapa, ka vetëm rrugë përpara dhe ne duhet t’i japim shqiptarëve atë çka po presin që nuk besoj të jetë diçka që po e presin me dekada, por që po e presin me shekuj”, tha Rama.
Rama citoi edhe poetin Naim Frashëri.
“Këtu po sjell një fjali emblematike të poetit tonë kombëtar që është poeti i Rilindjes sonë, që ka shkruar që “për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon, në Perëndim”. /j.p/