E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Objektet në ndërtim nuk do të lidhin ujin dhe dritat pa marrë certifikatën e përdorimit

TIRANË, 9 shtator/ATSH-Maela Marini/ Paketa e re e masave ligjore në mbrojtje të pronës dhe territorit parashikon që asnjë objekt në ndërtim nuk do të lidhë ujin dhe dritat pa marrë certifikatën e përdorimit.

Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se njerëzit nuk mund të merren peng nga ndërtuesit.

“Nuk do të lidhen më drita dhe ujë nëse objekti nuk do të marrë certifikatën e përdorimit. Nuk do ketë më pallat që vazhdon ndërtohet nga një anë, dhe nga ana tjetër futen njerëzit në apartament dhe pastaj pasi i fusin njerëzit në apartament e bëjnë si Hamasi: I marrin ata peng dhe ikin duke e bërë të pamundur që pallati të konfiskohet apo çfarëdo qoftë, sepse njerëzit janë brenda. Kjo nuk do të lejohet më!”, u shpreh Rama.

Përkundrazi, kryeministri theksoi se “deri në ditën që do të merret certifikata e përdorimit nuk do ketë as ujë e as drita”.

“Ashtu sikundër edhe me aspektin e lokaleve që operojnë në situata pa leje, ne do të rishikojmë këtë komponent. Ti nuk mund të zësh hapësirën publike dhe unë të të jap ujë, të të jap drita edhe ti më paguan, me demek, edhe taksat, që duke qenë biznes i vogël në fakt nuk paguan taksa, por paguan thjeshtë dhe vetëm sigurime shoqërore dhe shëndetësore, edhe ato gjysma-gjysma. Jo!”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se edhe pse Shqipëria është bërë një vend shumë më i jetueshëm me shumë më tepër rregull. Për ta bërë “Europën e Ballkanit” duhet të hedhim një hap shumë të rëndësishëm përpara.

Në këtë drejtim, Rama paralajmëroi se do të dënohet inspektori i drejtpërdrejtë për çdo ndërtim pa leje.

Këto masa, sipas tij, vijnë nga një domosdoshmëri e madhe për të bërë dhe hopin e madh dhe të fundit në lënien pas të këtyre fenomeneve.

“Çdo zyrtar i shtetit, çdo punonjës i shtetit që do të gjendet në kushtet që shfrytëzon një ndërtim pa leje nga familja e tij për qëllim fitimi, do penalizohet”, shtoi kryeministri.

Po ashtu, Rama tha se do të vendosen rregulla të forta edhe për rastet kur hapësira publike trajtohet si pronë private. “Për sa kohë është një pronë private e pazhvilluar, në çdo kushtetutë të botës, ajo është një pronë e cila mirëmbahet nga shteti, si hapësirë publike. Po nuk disponove leje, ti nuk bën dot asgjë. Këtu flasim për ata që kanë marrë prona në mënyra të paimagjinueshme, por gjithsesi i kanë marrë nëpër territore ku jetojnë qindra e mijëra njerëz dhe i bëjnë karshillëk komunitetit duke i parë nga poshtë dhe ata të tjerët rrinë lart, sikur jetojnë mbi kopsht zoologjik”, tha Rama.

Ndërsa për zhvillimin e pronës në pallatet e reja, kryeministri u shpreh se do të zbatohet logjika më elementare e qytetit. “Nuk mund të blesh apartament dhe të kesh përballë një axhustator. Është mbushur Shqipëria me pergolata hekuri dhe pemët i fusin brenda në lokal ndërkohë që njerëzit nuk dinë nga të kalojnë. Në këtë pikë duhet të gjithë së bashku të mendojmë si njerëz që jetojmë në këtë qytet, që rrisim fëmijë në këtë qytet dhe që kemi përgjegjësi”, shtoi ai. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›