Rama: Pasaportën evropiane nuk ta jep dot tribuna VIP e kënetës

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipërinë e 2030-ës nuk mund ta ndërtojmë nëse nuk kemi një PS që është gjithmonë e më shumë e të gjithëve
Në bashkëbisedimin live në platformat sociale, Rama iu përgjigj një qytetari i cili shprehej se nuk e pëlqen PS-në.
“Ky lloj mllefi është mllef tifozësh që nuk shohin përtej ngjyrës së fanelës dhe në këtë rast harrojnë që këtu nuk bëhet fjalë për një skuadër futbolli. Këtu bëhet fjalë për diçka shumë më të madhe se kaq”, tha Rama.
“Ti e do një pasaportë që kur të shkosh jashtë shtetit, kur të shkosh në Itali, kur të zbresësh në Gjermani, kur të zbresësh në Francë e kudoqoftë në Greqi, ty mos të të thonë kalo këtej tek ai korridori tjetër mbaj radhën, ndërkohë që sheh disa të tjerë që futen dhe ikin drejt? E do ti një pasaportë që të ikësh me këta të tjerët, domethënë me këta evropianët? Bashkimi Evropian, qytetarët e BE-së, qytetarë të tjerë. Pra dora e parë dhe dora e dytë”, u shpreh Rama.
“Zotnia juaj bashkë me gjithë të tjerët dhe me mua kur s’isha në këtë detyrë dhe unë prandaj jam në këtë detyrë se nuk dua që asnjë shqiptar të vazhdojë të hyjë në atë korridorin tjetër siç kam hyrë unë derisa erdha në këtë detyrë. Dhe nuk dua që kur të lë këtë detyrë të hyj prapë tek ai korridori tjetër, a më kupton ti. E do apo se do këtë pasaportë?”, tha Rama.
“E pra atë pasaportë ty nuk ta jep këneta, nuk ta jep bufi i kënetës. Ty atë mund ta jepte Kujtim Gjuzi, por Kujtimin e lanë jashtë. Nuk ta jep dot ty tribuna VIP e kënetës. Merre shihe listën të shkretën, kryeqytetin, kryeqyteti i Shqipërisë, viti 2025, shih listën, shih se kë të kanë thënë “mangi questa minestra” apo “haje këtë çorbë” se s’ke ku shkon, s’ke rrugë tjetër haje. Shihi një nga një të gjithë tribunën VIP të kënetës. Do ti, s’do ti do shkojnë në parlament”, tha Rama.
“Vlonjatëve, merri shihini, Leskon bashkë me qirje Dulen keni ju demokratët e Vlorës atje. Çfarë patriotësh jeni ju. Çfarë të mire i doni Vlorës ju nëse shkoni me Leskon dhe qirje Dulen ndërkohë që ata doni s’doni ju i keni në parlament, ju do shkoni të votoni kot, sepse nuk keni për të marrë më shumë se 4 deputetë në Vlorë. Nuk keni për t’i marrë edhe në Tiranë nuk keni për t’i marrë. Nuk do t’i merrni. Kaq. Do t’i marrin të tjerë, ju jo. Atëherë për çfarë do shkoni. Këta ju kanë thënë doni s’doni ne këtu jemi”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “ajo që unë po bëj, ajo që ne po bëjmë është krejt e kundërta. Unë po ju them të mive, doni s’doni partia do hapet se PS-ja e 2030-ës nuk mund të jetë kënetë. Se uji i ndenjur bëhet kënetë. Kaq e thjeshtë është”.
“Shqipërinë e 2030-ës nuk mund ta ndërtojmë nëse nuk kemi një PS që është gjithmonë më shumë e të gjithëve”, theksoi Rama. /j.p/