Rama: Pensionistëve të vetmuar iu paguajmë çdo muaj 185 kilovatë, po studiojmë uljen e çmimit të energjisë

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Korça se, qeveria po sheh mundësinë e uljes së çmimit të energjisë elektrike.
Në takimin me pensionistë në qytetin e Korçës, Rama iu përgjigj interesimit të njërit prej tyre për gazifikimin e Korçës që vjen edhe si “rritje” e pensionit për shkak se ul shpenzimet familjare.
Rama u ndal tek lehtësitë e qeverisë për pensionistët, përveç pensionit.
“Pensionistëve të vetmuar dhe që janë kryefamiljarë, ne iu paguajmë çdo muaj 185 kilovatë nga fatura e energjisë elektrike. Por nuk mund të shprehem sot konkretisht, por jemi duke studiuar edhe një ulje të çmim të energjisë”, u shpreh Rama.
Rama tha se i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mundësinë që pensionistët të përfitojnë patjetër një ulje, sado e vogël qoftë edhe 1 lek, por të përfitojnë ulje të çmimit.
“Ne po bëjmë një studim”, tha Rama.
Sipas tij, duke qenë se ekonomia është në rrugë të mbarë me rritje të qëndrueshme është koha të fillohet që nga kjo rritje ekonomike pensionistët të përfitojnë.
“Këtu duam të fusim edhe një koncept tjetër që kur rritja ekonomike e parashikuar dhe të ardhurat janë më të larta, atëherë për çdo përqindje të rritjes ekonomike që është mbi parashikimin pensionistët të jenë përfituesit e parë. Duhet të kompensojmë me të tilla mekanizma atë që skema nuk na jep menjëherë. Pasi edhe skema e kontributeve është me deficit kudo. Ndaj synojmë të ngushtojmë këtë deficit”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek projekti i gazifikimit të Korçës.
“Sa i takon gazit, projekti është në fazë të avancuar, financimi është i garantuar dhe do të shkojmë në Azerbajxhan për t’i dhënë një shtysë të fundit. Kështu që Korça do të jetë zona e parë që do të ngrohet me gaz”, deklaroi Rama.
Sipas tij, kjo do të ndikojë pozitivisht në xhepin e korçarëve.
/j.p/