E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Për herë të parë buxhet për rimbursimin e barnave kundër kancerit, ngremë Institutin Kombëtar për Tumoret

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Për herë të parë qeveria ka përcaktuar për 2026 një buxhet të veçantë për të mbuluar barnat për të luftuar kancerin.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një dëgjesë me banorët e Njësinë nr. 5 në Tiranë, duke siguruar se buxheti për këtë qëllim do të vazhdojë çdo vit.

“Mund të duket si fantazi, por shumë gjëra më kanë ndodhur që kur i them mendojnë se është fantazi pastaj bëhen realitet. Edhe pse ka disa nga fantazitë që duan akoma kohë për tu bërë realitet. Ndërkohë ne kemi vendosur që në Shqipëri të ngremë Institutin Kombëtar për Tumoret. E kanë shumë vende, është një nivel ekselence për studimet dhe për trajtimin e kancerit, kemi mundësinë që këtë projekt ta udhëheqë Ministrja e Shëndetësisë, e cila jo para shumë kohësh është shpallur një nga 100 gratë më influente në botën e trajtimit të kancerit sepse është onkologe me eksperiencë dhe kemi mundësi edhe për ato avantazhe na jep koha, teknologjia, partneritetet që ne po bëjmë në fushën e shëndetësisë”, nënvizoi Rama.

Mos harroni, vijoi Rama, që sot që flasim në Spitalin Onkologjik ne kemi partneritet me pavionin Onkologjik të spitalit SHIBA në Izrael që është i teti në botë.

“Ndërkohë po ndërtojmë një partneritet strategjik të QSUT-së me spitalin San Raffaele të Milanos që do të transformojë QSUT në 4 vitet e ardhshme në një qendër referimi për shërbimin shëndetësor në gjithë Ballkanin. Është e mundur që ta ndërtojmë edhe këtë projekt e ta ngremë institutin tonë kombëtar për tumoret”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, kanceri ka filluar të bëhet si grip, rastet e shfaqjes së kancerit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

“Realisht nuk ka javë, ndonjëherë ndodh edhe 3 herë në javë që unë mos të marr një mesazh nga dikush që papritur në shtëpi i shfaqet në trupin e një të afërmi kanceri. Juve e keni ndjekur trajektoren e spitalit Onkologjik nga larg, keni ndjekur atë çfarë ndodhi para ca kohësh, ndiqni edhe përpjekjet e ulëta që bëhen për ta shfrytëzuar edhe kancerin për politikë, por ajo që është reale është përtej të gjithave përmirësimeve dhe transformimeve që janë bërë ne kemi një problem”, vijoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se problemi është real dhe nuk është se e kemi marrë vesh sot.

“Por sot është koha kur nuk mundet më ta shtyjmë për shkak të vështirësive përkatëse, problemi i barnave, i mbulimit me barna të rimbursueshme të nevojës të pacientëve që kanë kancer, sepse janë barna që kushtojnë”, tha Rama.

Por, vijoi Rama, njësoj siç ndodh në një familje kur larg qoftë bie kjo sëmundje, unë di diçka lidhur me këtë nga jeta ime personale, të gjithë nuk kanë më mendjen askund tjetër, por tek detyrimi që i bëjnë hysmetin deri në fund njeriut të afërt dhe të bëjnë gjithçka që atij mos t’i mungojë asgjë në luftën me vdekjen që hyn në shtëpi.

“Ne si qeveri dhe si shumicë qeverisëse, 83 mandate janë një thirrje që çdo i sëmur me kancer në Republikën e Shqipërisë të konsiderohet njeriu ynë dhe të mbështetet si njeriu ynë”, tha Rama. /j.p/

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›