E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Për një Evropë që funksionon më mirë se sot, vendet e reja duhet të lënë pas egot kombëtare

TIRANË, 21 nëntor /ATSH- Marseda Qefalia/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në çeljen e Vitit Akademik 2025-2026 të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Rama tha se një “Evropë e bashkuar është e pamundur të mposhtet”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ne vazhdojmë me punën tonë të bërë, që do të thotë rezultatet edhe reforma, forcim institucionesh, durim i sprovuar, edhe falë disa shteteve anëtarë përfaqësuar këtu edhe prej disa ambasadorëve, Gjermania dhe Holanda, që janë në fakt ata që na e kanë sprovuar durimin më shumë se të tjerët, tani jam mirënjohës për këtë, por nuk isha atëherë kur sprovohesha”, ndërsa shtoi se “ne nuk kërkojmë asnjë privilegj, vetëm nderin, që siç thotë Jean Monhet, t’i shërbejmë Evropës në mënyrë që Evropa t’i shërbejë paqes”.

Rama theksoi se për një Evropë të përbashkët që funksionon më mirë se Evropa sot, duhet që shtetet e reja të lënë pas egot kombëtare. Sipas Ramës, nuk duhet të këmbëngulësh që vendet e reja të kenë komisionerë, as veto dhe asnjë votë kundër shumicës.

“Ka disa, që në këndvështrimin tim dhe këtu jam pakicë në këtë rajon, të cilët pyesin veten si mund të marrim më shumë vende të bëhemi 29, të bëhemi 33, apo edhe 35, në një kohë që nuk funksionojmë dot normalisht as me 27. Po, sipas meje kanë një argument e kësisoj, na duhet t’i paqtojmë, t’i ndihmojmë, duhet t’i lëmë pas egot tona kombëtare dhe të mendojmë si evropianë, për një Evropë të përbashkët, që funksion më mirë se Evropa sot, nuk ka nevojë për një Shqipëri që do të vendosë veto. Nuk duhet të këmbëngulësh që vendet e reja të kenë komisionerë, ka mënyra të tjera, por duhet të ndash mendjen se të qenit pjesë e kësaj familjeje është ajo çka vlen, e gjithë pjesa tjetër janë procedura dhe të mbetesh në vend, se je fiksuar me gjërat që janë fiksim i tyre dhe pastaj ata nuk munden që t’i përballojnë ato përballë publikut të tyre, kjo është shqetësuese.

“Le ta bëjmë të thjeshtë, asnjë veto, asnjë votë kundër shumicës, asnjë komisioner dhe asnjë kërkesë, por vetëm përgjegjësi, kontribut. Unë besoj se periudha pas negociatave teknike do të jetë më e lehtë”, tha Rama.

Duke iu drejtuar studentëve, Rama tha se Evropa është më e fortë kur asnjë evropian nuk do të mbetet jashtë sallës.

“Ju nuk jeni këtu të studioni Evropën, por të mbroni Evropën, jeni këtu ta sfidoni kështu siç është të guxoni dhe ta përmirësoni. Ju duhet të përgatiteni për ta shpëtuar Evropën nga vetvetja. Më lejoni të them që ajo për të cilën Evropa do të ketë nevojë gjithmonë me më tepër nuk janë armët, nuk është Inteligjenca Artificiale, nuk janë paratë, është kurajoja, sepse stuhitë po mblidhen dhe kapitulli tjetër i BE-së nuk do të përcaktohet nga sa shumë armatime do të kemi apo sa më shumë fabrika të Inteligjencës Artificiale do të kemi, apo sa më shumë fonde a borxhe do të kemi, por do të vendoset në betejën midis atyre që kanë frikë nga zgjerimi dhe atyre që e kuptojnë se Evropa është më e fortë kur asnjë evropian nuk mbetet jashtë sallës. Dhe të lësh jashtë hapësire evropianët nga Ballkani është një ide e tmerrshme”, tha Rama.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›