Rama: Përparimi i dekadës së fundit ka sjellë “revolucionin e pritshmërive”, “flamingot” janë shembulli

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe vendi po kalon në revolucionin e rritjes së pritshmërive.
Në konferencën ndërparlamentare mes përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane, Rama u ndal te ecuria e Shqipëria në procesin e integrimit europian, ndërsa komentoi edhe zhvillime të aktualitetit politik.
Rama komentoi të ashtuquajturin revolucion flamingo, ndërsa u shpreh se vendi po kalon atë që konsiderohet si revolucion i rritjes së pritshmërive.
“Kur flasim për këto momente në Shqipëri jam i sigurt që ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot. Edhe pse nuk jam i bindur nëse do i gjeni, apo nuk do jenë aq të bukura sa duken nëpër fotot në Instagram që shpërndahen nga kolegët tuaj. Por po i referohem atyre sepse ky është shembulli më i mirë i këtij momenti që po kalojmë në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas tij, vendi ka kaluar nga një epokë kur njerëzit gjithmonë mendonin se gjërat do mund të bëheshin më keq, në një epokë të re ku mendojnë se gjërat munden të jenë më mirë.
“Ne po e jetojmë këtë moment të histories që e kanë e përcaktuar si revolucion të rritjes së pritshmërive. Njerëzit kanë kuptuar që vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lart. Njerëzit e kanë kuptuar që vendi mundet të bëhet komplet ndryshe. Njerëzit e kanë kuptuar që shumë gjëra po lëvizin dhe që ka një zhvillim të dukshëm për këdo”, shtoi Rama.
Por nga ana tjetër, Rama tha se njerëzit kanë edhe pyetje dhe është e natyrshme që këto pyetje të kombinohen edhe me ankthin që të jep koha e sotme.
“Ky hutim i madh ndërmjet lirisë së fjalës dhe lirisë së qasjes ka çuar në një farë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe shumë teori konspirative që kanë shtuar barrën e rëndë sociale”, shtoi Rama.
Konferenca “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë” zhvillohet në Tiranë në datat 27–29 shtator 2026 dhe mbledh së bashku përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së.
Punimet e konferencës do të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme me tre sesionet e saj tematike: “Agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit”, “Zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë” dhe “Udhëheqja parlamentare dhe angazhimi në avancimin e integrimit europian”.
Konferenca synon të informojë dhe ndërgjegjësojë parlamentet pjesëmarrëse mbi arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, të forcojë bashkëpunimin parlamentar dhe mbështetjen e parlamenteve të vendeve anëtare për procesin e integrimit, të konsolidojë partneritetin me vendet kandidate, si dhe të krijojë një hapësirë për dëgjimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve të komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe të aktorëve të përfshirë në përpunimin e politikave të zgjerimit.
Diskutimet do të fokusohen gjithashtu në ecurinë e procesit të zgjerimit, përvojat dhe sfidat e vendeve kandidate dhe rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian, në funksion të objektivit strategjik kombëtar për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.
Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqip... 1 nga 13/a.f/