Rama: Plani i Ri i Rritjes përshpejton hyrjen në BE. Varhei: Do dyfishojë ekonominë e rajonit brenda 10 viteve

Plani i Ri i Rritjes do të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimorë në Bashkimin Europian. Kështu deklaruan në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri Edi Rama dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhei (Varhelyi), pas përfundimit të punimeve të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përmes këtij Plani, procesi i integrimit në BE do të jetë i prekshëm edhe për qytetarët. Përmes këtij Plani, Rama tha se do të ketë më shumë financim nga BE për projekte dhe për buxhetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“BE nuk po bën vetëm punë e zakonshme, por po shkon një hap më tej për t’u bashkuar me ne, me një Plan të Ri të Rritjes që faktikisht është një nismë e konceptuar jashtë kornize. Ky është rezultati i dialogut, i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa i takon vështirësive tona. Falë këtij shkëmbimi të ndërsjellë pikëpamje kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimin diçka të re që është shumë konkrete dhe mund të na çojë në nivel tjetër shumë shpejt. Plani i Ri i Rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE dhe është një instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshëm për njerëzit. Ana tjetër e Planit është më shumë financim për projekte dhe për buxhetet tona. Jam shumë i kënaqur që arritëm në këtë pikë, nuk ka qenë e lehtë, por është vërtetë mjaft shpërblyese”, tha Rama.
Megjithatë, ai theksoi se integrimi europian shkon përmes atij rajonal.
“Nga ana tjetër, të gjitha ato përpjekje që ne kemi bërë gjatë 10 viteve për të ecur drejt integrimit rajonal, tashmë me Planin e Ri të Rritjes duhet të ndodhin pa arsye politike për të mos bërë marrëveshje. Integrimi Europian shkon përmes integrimit rajonal, kjo nuk ha aspak diskutim dhe Plani i Ri i Rritjes e vërteton këtë. Dhe ato që janë thënë për Ballkanin Perëndimorë janë tashmë të ekspozuara si gjepura sepse kjo është rruga, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike. Me Planin e Ri të Rritjes, të 6 vendet kanë rënë dakord se kjo është diçka që duhet bërë”, tha kryeministri.
Varhei tha se Plani i Ri i Rritjes ka qenë i konceptuar pikërisht në Tiranë, teksa shtoi se do të shërbejë si një mekanizëm për të treguar përfitimet ekonomike të një vendi përpara se të bëhet shtet anëtar i BE-së. Sipas përllogaritjeve të BE-së, Varhei tha se pritet që rajoni të dyfishojë ekonominë e tij në 10 vitet e ardhshme.
“Vetë ideja e vetë Planin të Rritjes ka qenë i konceptuar pikërisht këtu në Tiranë, në diskutimet e mëparshme që kemi patur me kryeministrin, por edhe liderët e tjerë. Ju shihni sot që ne po themi se çfarë do të zbatojmë nga ky plan për këtë vit. Prandaj dita e sotme ka qenë edhe një inkurajim i madh për të ecur në mënyrë të përshpejtuar. Europa është shumë burokratike, por mendoj që këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë edhe se cilat janë përfitimet ekonomike të një vendi që bëhet shtet anëtar sepse tashmë ne kemi mundësi t’i ndajmë këto me rajonin para se të bëhen shtete anëtare. Kjo do të thotë që rajoni juaj mund të bëhet pjesë e Unionit edhe më shpejt.
Pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë edhe me konkurrencën, dhe konkurrenca në tregun e BE është e fortë. Ndaj ne po japim fonde shtesë për të ndihmuar reformat e nevojshëm të domosdoshme, por ne jemi të gatshëm ta lehtësojmë këtë punë dhe ndaj udhëheqësit e KE kanë vendosur që 6 mld euro do të duhet të ndihmojnë rajonin dhe deri në vitin 2027 rajoni do të ketë të njëjtin nivel intensiteti ndihme si vendet anëtare. Pas vitit 2027 do të ishte e vështirë që vendet e rajonit të thonin që nuk janë gati për t’u bërë pjesë e BE. Mendoj që trashmë kemi kaluar në një nivel më lart që do të thotë se nëse dëshironi të trajtoheni si një shtet anëtar i BE, atëherë duhet të trajtoni edhe anëtarët e BP si anëtarë të BE-së. Ajo që keni parë sot do të ndryshojë në mënyrë dramatike realitetin në BP. Sipas përllogaritjeve tona, rajoni do të rrisë dyfish ekonominë e vet gjatë 190 viteve të ardhshme”, u shpreh ai.
/rtsh.al/