Rama: “Qarkullo dhe krijo”, filozofi që nxit industrinë e qëndrueshme

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale filozofinë “QarkulloDheKrijo”, si një qasje që po përqafohet nga një numër në rritje sipërmarrjesh shqiptare, në funksion të zbatimit të parimeve të ekonomisë qarkulluese.
Sipas Ramës, kjo filozofi bazohet në ripërdorimin, riciklimin dhe krijimin e produkteve të reja, duke reduktuar mbetjet dhe duke gjeneruar vlerë të shtuar për ekonominë.
Kryeministri solli si shembull kompaninë Everest në prodhimin e profileve të aluminit, ku çdo produkt e nis ciklin e jetës nga lëndë e parë e ricikluar dhe përfundon në një produkt final të certifikuar dhe të patentuar, i cili eksportohet në tregjet ndërkombëtare dhe mbetet 100% i riciklueshëm.
Në këtë model, materialet e rikuperuara nga restaurimet apo proceset industriale rikthehen sërish në ciklin e prodhimit, duke minimizuar mbetjet dhe duke krijuar një zinxhir të mbyllur prodhimi.
Rama thekson se ky është një model konkret që dëshmon se inovacioni, zhvillimi industrial dhe mbrojtja e mjedisit mund të ecin paralelisht, si pjesë e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin europian në fushën e mjedisit.
/gj.m/j.p/