E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Që nga zgjedhjet e 2013 leku dhe kriminelët nuk vendosin kush hyn në qeveri apo në bashki

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “në asnjë palë zgjedhje politike, lokale, të pjesshme apo të përgjithshme në Shqipëri, minimalisht qysh prej atyre të vitit 2013, leku dhe elementët kriminalë nuk kanë vendosur asgjë kush ikën në qeveri apo në bashki”.

“Kjo është shumë e thjeshtë, sepse s’ka as logjikë të padeformuar nga urrejtja politike dhe as aritmetikë të pa përmbysur nga mendjelehtësia mediatike, që i mban dot në këmbë teoritë idiotike të komploteve të mëdha elektorale me para e me kriminelë”, tha Rama në një mesazh drejtuar qytetarëve lidhur me zhvillimet e fundit të aktualitetit.

Kryeministri Rama u shpreh se “kush ka marrë pjesë në zgjedhje apo ka studiuar sadopak zgjedhjet në Shqipëri, e di fare mirë, se nëse nxirren jashtë ekuacionit organet ligjzbatuese, Policia e Shtetit, SHIK-u e Shishi, KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor dhe manipulimet ordinere të komisionerëve në qendrat zgjedhore, siç faktikisht kanë qenë qartësisht jashtë ekuacionit, në të gjitha zgjedhjet, qysh prej atyre të rotacionit të 2013-ës, nuk ka lek, element kriminal dhe maskarallëk politik, që e përmbys dot vullnetin e popullit – mendojeni fjala vjen sa e pamundur do të ishte, sot, por jo vetëm sot që pas 2013-ës që të parafytyrohej qoftë edhe në bashkinë më të vogël e më të largët të vendit, maskarallëku i 2011-ës këtu në mes të Tiranës”.

“Nuk i rreshtova të tëra sa dëgjuat, as për t’u ankuar se më kanë rënë shumë dhe për shumë gjatë në qafë, me akuzat më ekstreme, as për t’u shitur këtu si engjëll. Engjëll nuk jam, jo vetëm sepse parajsa e librave të shenjtë nuk është e kësaj bote, po edhe sepse në jetën time, tanimë jo të shkurtër, ka edhe jo pak momente e ndodhira për të cilat unë nuk jam krenar. Por ama, nuk hyjnë ndër to, as krimet apo lidhjet me krimin, as përfitimet e paligjshme apo pasuritë e padeklaruara, as shpifjet apo fabrikimet për kundërshtarët politikë, e asnjë poshtërsi a prapësi tjetër nga ushtrimi abuziv i fuqisë së pushtetit”, tha Rama.

/k.s//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›