Rama: Refuzuam Anglinë për emigrantët, Italia është Shqipëri dhe Shqipëria është Itali

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë një interviste për emisionin “Report” në Rai 3, se Shqipëria ka refuzuar kërkesën e Anglisë për kampe refugjatësh, ndërsa ka pranuar Italinë, pasi është një tjetër sinergji.
Sipas Ramës, historia ka treguar se Italia është Shqipëri dhe Shqipëria Itali. Ai tha se duhet një qasje e përbashkët e të gjitha vendeve dhe Europës në tërësi për të zgjidhur problemin e emigrantëve, nuk mund të bëhet vetëm duke i dërguar tek vendet e treta.
“Jemi në një situatë që ka nevojë për një qasje të përbashkët europiane. Nuk është një subjekt i politikës së përdtishme dhe interesave elektorale. Është objekt shumë i madh, për t’u kthyer në një subjekt për debat politik ditor, sepse në fund të gjithë pastaj kur të vijnë në qeveri, e mendojnë njëlloj dhe kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë, si të majtë si të djathtë, në Itali dhe më gjerë flasin për kontrollin e flukseve, flukset ligjore”, tha Rama.
“Çfarë bëjmë? Bëjmë moralin kur rrimë aty dhe shohim të tjerët se si duhet ta menaxhojnë dhe kur vijmë në qeveri bëjmë të njëjtën gjë. Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe mes të gjithëve dhe përtej të majtës e të djathtës për të kuptuar se tek njëra anë ka një demografi që po dënon Europën në tërësi, por të themi Europën e vjetër, me një plakje të popullsisë që nuk se po kalon një zgjidhje dhe nga krahu tjetër ka nevojë për një fuqi të re punëtore, dhe ku do t’i gjejmë? Nuk më duket se të rinjtë italianë janë prirur të bëjnë më shumë fëmijë për të ndihmuar flamurin tringjyrësh. Rama socialist? Unë jam socialist pak i çuditshëm. Unë s’besoj në llogoret ideologjike, unë besoj tek zgjidhjet e përbashkëta dhe tek zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon dhe s’kemi pse ta etiketojmë të majtë apo të djathtë.
E kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë propblem, çfarëdo të bëjë. Këtë problem e zgjidhim bashkë. Këtë problem nuk e transferon dot, duhet ta godasësh, dhe kjo bëhet duke e goditur bashkë. Po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe përballë sfidës së plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe nevoja për të mos u kthyer në viktimë të të gjitha dëshirave kriminale të atyre që shfrytëzojnë varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve nga krahu tjetër për t’iu marrë dhe paratë e fundit për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, filtër, pa asnjë politikë. Për këtë duhet punuar, jo për faktin nëse e bën Xhorxha, është e keqe, por nëse e bënë Monti, e bën mirë”, shtoi Rama.
“BE e ka pranuar këtë: Çojmë emigrantë në vendet e treta? Fillimisht, unë mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhja në vetvete. Pjesëmarrja nga vendet e treta duhet jetë pjesë e një zgjidhje më komplekse. Nëse mendohet se vendet e treta janë zgjidhja, nuk shkohet askund. S’ka zgjidhje. Do t’i biem murit që kemi përballë, ose do të përplasemi me ajsbergun që kemi përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, sikur të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet edhe mandatet e ardhshme, apo mundësia tjetër për t’u kapur pas pushtetit, do të thotë t’i biesh muzikës teksa Titaniku po mbytet. Po nga krahu tjetër, të mbytesh, themi ne, me një pikë ujë dhe të paraqesësh këtë tentativë si një përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka, pa pretenduar se do të zgjidhësh të gjithë problemin, por duke krijuar më shumë pjesëmarrje të vendeve, është shumë nënçmuese dhe vërtetë qesharake”, deklaroi Rama.
Rai3: Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?
KM: Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë.
Rai3: Ju i keni kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera?
KM: Unë?
Rai3: Po, qendra për migrantët, Ka një diskutim të tillë?
KM: Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo.
Rai3: Nuk është diskutuar asnjëherë kjo?
KM: Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur.
Rai3: Ah, Danimarka donte të ngrinte qendra për migrantët në Kosovë?
KM: Më duket se ka pasur një diskutim të tillë, po.
/r.e/