E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Restaurohet Kisha e Shën Mërisë në Mamurras

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kisha e Shën Mërisë në fshatin Shënmëri, Mamurras tashmë është një tjetër destinacion i turizmit historik e kulturor, falë projektit për rijetësimin e saj, që ka rikthyer vlerat e këtij objekti kishtar që daton prej shekullit XV.

Me status Monument Kulture i Kategorisë së parë, kjo kishë i është nënshtruar restaurimit tërësor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të kishës, ndërsa u shpreh se një tjetër thesar i vyer i trashëgimisë sonë kulturore ka dalë në dritë.

“Ndërhyrja e bërë nga specialistët përkatës konsiston në restaurimin dhe konsolidimin e mureve të kishës, restaurim i pikturës murale si dhe vendosja e një strehe metalike tek pjesa e absidës aty ku gjendet edhe piktura murale”, u shpreh Rama.

Kisha ndodhet në fshatin Shënmëri, Mamurras dhe paraqet interes të veçantë si një dëshmi arkitekturore që mbart gjurmë të disa fazave ndërtimore, që përfshijnë periudhën rreth shek. XI-XIV.

Në kuadër të restaurimit të rrënojave të Kishës së Shën Mërisë, u realizuan disa ndërhyrje.

Fillimisht u pastrua hapësira përreth objektit nga vegjetacioni.

Po ashtu u hoqën elementët jo autentikë brenda kishës, si dhe u restaurua muri i gurit antik si dhe çarja e mureve të gurit.

1 nga 9

/m.m/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›