E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Rikthehen në funksion 4 km kanale ujitëse në Postribë


TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit kanë ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, ndërsa skemat mbështetëse nga qeveria kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po kryhet në Postribë të Shkodrës për përmirësimin dhe rikthimin në funksion të kanaleve ujitëse.

“Vetëm në këtë njësi administrative janë 4 km kanale ujitëse të rivëna në shërbim të fermerëve të zonës, të cilët prej vitesh prisnin këtë investim që përkthehet në vëmendje të drejtpërdrejtë për ta”, u shpreh Rama.

Nga ana e tyre, fermerët vlerësojnë punën që po bëhet për pastrimin e kanaleve kulluese, një ndërhyrje e plotë që sipas tyre, nuk është kryer për 35 vite me radhë.

Sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatrat e bashkisë së Shkodrës ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore, si dhe garanton mbrojtje nga përmbytjet.

Përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas është një nga masat më të mirëpritura për fermerët, pasi i jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit.

/m.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›