Rama: Rilindja e Liceut Francez të Korçës në tryezën e Macron

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Liceu Francez në Korçë, një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, do të jetë një qendër ekselence në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në rajon, duke ofruar diploma të dyfishta për nxënësit.
Gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Paris ku u prit nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, u hodh një tjetër hap i rëndësishëm për të çuar përpara punën e përbashkët drejt finalizimit të këtij projekti.
“Sot edhe Rilindja e Liceut Francez të Korçës është në tryezën e Presidentit të Francës, si një ndër projektet nën kujdesin e tij, pas vizitës historike në Tiranë”, u shpreh sot kryeministri Rama, ndërsa ndau një foto të përbashkët me Macron.
Rama theksoi se një dekadë më parë Franca që kujdeset për Shqipërinë dhe Shqipëria që konsiderohet partner strategjik i Francës në Ballkan, do të ishte e paimagjinueshme.
Liceu Francez i Korçës, një projekt-simbol i marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Francës, shumë shpejt do të kthehet në një mundësi të re për qindra nxënës shqiptarë, por edhe për të rinj nga vendet e rajonit.
Të rinjtë mund të studiojnë në Korçë në një mjedis ndërkombëtar, duke përfituar diploma të dyfishta të Maturës Shtetërore dhe Baccalauréat Français, të njohura si në Shqipëri ashtu edhe në Francë.
/m.m/j.p/