Rama: Rritje e vizitorëve në Shkodër, nevojë për më shumë njësi akomodimi

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shkodra nga pikëpamja e fluksit të vizitorëve ka një rritje shumë të madhe dy vitet e fundit dhe nga pikëpamja e njësive të akomodimit ka nevojë shumë të madhe.
Në një takim në Shkodër me sipërmarrës të rinj, shumica të kthyer nga emigracioni, Rama tha se “po të shikosh çfarë po ndodh me Shkodrën nga pikëpamja e shifrave është absolute që nevoja për më shumë njësi akomodimi do të rritet në mënyrë shumë shumë të konsiderueshme”.
“Sot në qytet janë 200 njësi që janë mesatare ose të vogla, por duhet më shumë, edhe në zonën brenda, sepse siç diskutonim të gjithë këto njësitë që janë më brenda, që janë në formën e agroturizmit ose hotele malore, kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe dhe Thethi e tregon shumë qartë. Thethi është shkollë, do të shikosh si është e ardhmja e mundshme, në shumë territore të Shqipërisë, se Thethi është i mahnitshëm, por nuk është i vetmi nga pikëpamja e bukurive natyrore. Bukuritë natyrore në forma të ndryshme i ke gjithandej, por aty është shkollë”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se në Theth shumica e bizneseve janë hapur nga të rinjtë.
“Në Theth ti bën një takim me banorët dhe aty, 85% i ke të rinj, aty është rini dhe të gjithë ata që janë aty janë me biznes njerëz që kanë hapur një derë dhe bëjnë lekë me mikpritje”, tha Rama.
Sa i përket pagave, Rama theksoi se “pagat në Theth janë më të mira”.
Duke folur për opozitën, Rama tha se “këta nuk e njohin se çfarë bëhet në Shqipëri dhe e shohin Shqipërinë nga këneta ose nga kolltuqet e atyre studiove natën, që rrinë flasin broçkulla a thua se këtu jemi aty ku ishim kur ata e kanë pasë parë Shqipërinë dikur, nuk e njohin fare, po realisht pagat janë super, është e vërtetë”.
/k.s//r.e/