E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Shërbimi ORL ofron implant koklear dhe terapi logopedie për fëmijët që nuk dëgjojnë

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Puna në shërbimin ORL vijon në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku vendosja e implantit koklear e kombinuar me terapinë e logopedisë, ndihmon fëmijët e lindur me ulje të dëgjimit, jo vetëm të dëgjojnë, por edhe të mësojnë të flasin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e mjekes së shërbimit ORL, e cila tregon përfitimet që ka vendosja e implantit koklear.

“Implanti koklear është një pajisje e cila vendoset nëpërmjet operacionit për t’iu mundësuar njerëzve që nuk dëgjojnë të dëgjojnë përsëri”, tha ajo.

Sipas mjekes, shërbimi i ORL-së ka disa vite që kryen këtë lloj operacioni për fëmijët të cilët kanë humbje të mëdha dëgjimi, duke iu mundësuar që jo vetëm të dëgjojnë, por njëkohësisht të zhvillojnë edhe gjuhën e folur.

Tashmë, vijoi ajo, “ky operacion që nuk kryhej më parë në Shqipëri është i mundur edhe për fëmijët shqiptarë”.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›