E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria e vetmja që s’ka marrëdhënie me Rusinë, do t’i dal për zot vendit tim

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku edhe këtë vit personalitete nga e gjithë bota mblidhen me në fokus bashkëpunimin mes tyre, foli edhe për agresionin rus në Ukrainë.

“Kur vjen fjala për Ukrainën më duhet të sqaroj që unë përfaqësoj Shqipërinë, që nuk ka asnjë marrëdhënie me Rusinë. Apo le të themi, ka shkallën më të ulët të raportit me Rusinë në Europë dhe përfaqësoj të vetmin vend në këtë kontinent, ku asnjë udhëheqës rus nuk ka ardhur qysh prej viteve 1960, e prej nga ku asnjë nga udhëheqësit nuk ka luftuar drejt Rusisë. Ky është niveli i marrëdhënieve”, nënvzoi Rama.

Ai theksoi se “kurrë në këta 35 vjet nuk kemi pasur, jo vetëm vizita të nivelit të lartë nga Rusia, por as para ruse, nuk na pëlqejnë. Pra, ky jam unë dhe këtë përfaqësoj”.

Kryeministri tha se Europa po humbet atë që është kryesorja, duke nënvizuar se “Europa duhet të ketë autonominë e saj së paku”.

“Unë besoj pavarësinë e vet, por së paku autonominë e saj, politikën e saj të jashtme, planin e saj të paqes dhe të bëjë luftën. Unë nuk po them ‘’rresht luftën’’, unë nuk po them t’i japim Putinit gjithçka ka marrë e gjithçka do. Jo, jo, nuk po them asgjë të tillë, po them; ‘’bëje luftën, por përgatitu për paqen’’, shtoi ai.

I pyetur nëse Shqipëria duhet të luajë rol, Kryeministri Rama deklaroi se “unë përfaqësoj një vend që është shumë i vogël për të luajtur çfarëdolloj roli, flas, të llojit që të mund të ndryshojë trajektoren e ndonjë gjëje”.

“Si europian që përfaqëson një vend të vogël, pavarësisht madhësisë së tij, unë besoj se më duhet t’u dal për zot mendimeve të mia dhe vendit tim. Pastaj, nëse ky mendimi im është i duhur apo i gabuar, nuk ka rëndësi, sepse nëqoftëse mendimi im është i gabuar, nuk vjen asnjë dëm. Por nëqoftëse mendimet e atyre të tjerëve që nuk janë kaq të gjatë sa unë, por kanë pas tyre vende mjaft të mëdha, nuk janë të duhur, atëherë problemi është i madh”, përfundoi Kryeministri Rama.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›